Rrëfimi i gruas që hapi lokalin e parë me ushqime tradicionale në Kamenicë
Biznesi “Tradita” po vazhdon me sukses rrugëtimin e tij
Në kuadër të emisionit Start Up në RTV21, çdo javë nëpërmjet reportazhit të përgatitur, prezantohet puna e ndërmarrësve të ndryshëm të vendit, shkruan rtv21.tv
Këtë javë shikuesit patën mundësinë të shohin biznesin “Tradita” të Feime Rexhepaj, nga Komuna e Kamenicës. Ajo ka treguar se ushqimet që merrte nga shtëpia me vete në punë, frymëzuan atë ta hapte një punëtori ku do t’i përgatiste ushqimet tradicionale.
Fillimisht puna e saj filloi me ëmbëlsira, ku pas përfundimit të orarit të punës, ajo në shtëpi gatuante ëmbëlsira të cilat i paketonte dhe i shpërndante në dyqane ushqimore. Kjo mënyrë e punës, Feimes i zgjati për dy vjet.
Në vitin 2014, ajo vendosi të hap biznesin, ku do t’i shiste ushqimet e gatuara. Natyrisht se pa investime ajo nuk do të mund të fillonte punën, andaj kërkoi ndihmën e Organizatave Ndërkombëtare. UNDP, me anë të një subvencioni ndihmoi Feimen që të realizonte “ëndrrën” e saj.
Tanimë që biznesi “Tradita” po vazhdon me sukses rrugëtimin e tij, Feimja tregon që ballafaqohet edhe me sfida. Ajo ankohet për shpenzimet e qeras dhe rrymën. Sipas saj, është e vështirë të veprohet pasi rryma si biznes llogaritet me tarifë më të shtrenjtë./21Media