Marrëveshja e Ministrisë së Bujqësisë me USAID-in siguron 3.8 milionë euro për sektorin e bujqësisë

Marrëveshja e Ministrisë së Bujqësisë me USAID-in siguron 3.8 milionë euro për sektorin e bujqësisë

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Misioni i USAID-it në Kosovë kanë nënshkruar sot Marrëveshjen e Mirëbesimit, për mbështjeten e sektorit të bujqësisë në vend.

Marrëveshja e Mirëbesimit mundëson krijimin e një programi të veçantë për mbështetjen e zingjirit të vlerave të frutave të imëta dhe bimëve mjekësore aromatike në Kosovë.

Për implementimin e kësaj marrëveshjeje është siguruar fondi prej 3.8 milionë euro, thuhet në komunikatën e Ministrisë.

Me këtë marrëveshje synohet zhvillimi ekonomik e bujqësor i vendit, rritja e prodhimit bujqësor e bashkë me të edhe rritja e të ardhurave të fermerëve, si dhe krijimi i vendeve të reja të punës.

Ministri Nenad Rikalo, ka thënë se bashkëpunimi i ministrisë me partnerët ndërkombëtarë nga viti në vit ka dhënë dhe po jep rezultate shumë pozitive në zhvillimin dhe avancimin e sektorit bujqësor.

“Kjo marrëveshje e bashkëpunimit me USAID-in është shumë e rëndësishme, pasi që përmes saj kemi arritur të kemi një kontratë tre vjeçare, e cila garanton mbështetjen e prodhuesve tanë bujqësor që merren me kultivimin e mjedrave, manaferrave e bashkë me këtë synojmë që përveç rritjes së prodhimtarisë, ta shtojmë edhe cilësinë e këtyre prodhimeve”, ka thënë Nenad Rikalo.

Ai ka potencuar që synohet të rritet edhe eksporti i këtyre prodhimeve në tregjet e huaja, si dhe të krijohen kontrata afatgjate që garantojnë sigurinë e këtyre prodhimeve.

Ai ka falënderuar USAID-in për mbështetjen e vazhdueshme që po e jep për zhvillimin e  sektorit të bujqësisë në Kosovë.

Në anën tjetër, drejtoresha e Misionit të USAID-it në Kosovë, Lisa Magno, theksoi se USAID-i do të vazhdojë që ta mbështesë sektorin e bujqësisë dhe në përgjithësi zhvillimin ekonomik në Kosovë. Përmes këtij partneriteti, ajo tha se kanë për qëllim të rrisin sasinë dhe cilësinë e prodhimit bujqësor.

“Tani po hymë në një partneritet të drejtpërdrejt me Qeverinë e Kosovës, konkretisht me Ministrinë e Bujqësisë, që në afat të shkurtër synohet që të risim prodhimin dhe eksportin, mirëpo përtej kësaj ne e shohim partneritetin me Ministrinë e Bujqësisë si një mundësi që të ndihmojmë ministrit dhe ekipit të tij që të shënjestrojnë më mirë ato asete që i kanë dhe t’i shfrytëzojnë ato më mirë”, ka thënë ajo.

Magno u shpreh mirënjohëse për bashkëpunimin mes tyre dhe sipas saj pritet bashkëpunim edhe në të ardhmen, për t’i ndihmuar Kosovës.

Sipas saj sektori i bujqësisë ndikon shumë në zhvillimin ekonomik, që mund të sjellë ndryshime pozitive në jetën e qytetarëve të Kosovës./21Media