500 mijë euro për Shqipërinë

Qeveria e Kosovës i ndan 500 mijë euro

Ministria e Financave i propozoi Qeverisë së Kosovës që të ndajë si shumë fillestare 500 mijë euro për ndihmë për Shqipërinë, pas goditjes nga tërmetet në mëngjesin e sotëm.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj tha se është thellësisht i prekur nga tragjedia në Shqipëri, ku deri më tash është raportuar për 13 viktima dhe qindra të vdekur, si dhe dëme të mëdha materiale.

“Jemi thellësisht të prekur nga tragjedia në Shqipëria. Lutjet e popullit tonë janë me qytetarët e Shqipërisë, me bashkëkombësit tanë. Kemi shpreh gatishmërinë që t’i dalim ndihmë, kemi mobilizuar ekipet e FSK-së dhe PK, institucionet e tjera të sigurisë të nisin procedurat për intervenim. Kemi angazhuar ekipe si nga Trepça, Miniera e Artanës, KEK-njësinë e zjarrfikësve. I kam autorizuar të gjitha kompanitë e mirëmbajtjes që të nisën për Shqipëri”, tha Haradinaj para kabinetit qeveritar.

Haradinaj po ashtu ka kërkuar nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave që të bëjë vlerësimin në nivel të vendit të sistemit të alarmit dhe të ndërmerren hapat e nevojshme për të qenë të përgatitur.

“Sot kam marrë konfirmimin prej të gjitha institucioneve të vendit që ekziston një protokoll i gjithanshëm e nëse Kosova preket, lutemi që jo, të jemi të gatshëm të përballemi me një gjendje të tillë”, tha Haradinaj.

Ndërsa, Komuna e Mitrovicës ka ndarë 2 mijë euro nga buxheti i saj për t’i ndihmuar Shqipërisë, pas tërmetit të fuqishëm që ka ndodhur sot në orët e hershme të mëngjesit. Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, tha se vendimi është marrë me qëllim që sado pak t’u dilet në ndihmë këtyre banorëve, të cilët janë përballur sot me lëkundje të forta tërmeti.

Nga tërmeti në Shqipëri deri më tani janë raportuar 13 të vdekur dhe rreth 600 të lënduar.

Shqipëria është tronditur nga disa tërmete të forta të njëpasnjëshme, me pasoja të rënda në jetë njerëzore dhe dëme materiale. Sipas Institutit të Gjeoshkencës, tërmeti i parë u regjistrua në orën 1:18 minuta pas mesnate, për tu pasur edhe me 11 tërmete të tjera, ku ai i orës 03:54 ishte më i fortë me magnitudë 6.4 ballë. /21Media 

Back to top button