Abdixhiku: Sulmi ndaj Hotit është i trishtë

“Shteti, era shtet si akt e si koncept i tremb”

Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas sulmit me vezë ndaj zëvendëskryeministrit Avdullah Hotit.

Ai e ka quajtur sulmin ndaj Hotit si të trishtë.

“Shteti, era shtet si akt e si koncept i tremb. Pa pushtet e me gjithë reformat që pritet të vijnë rend bëhen edhe më agresiv. Sulmi ndaj Zv.Kryeministrit Hoti është i trishtë – si mjet, si formë, si arsye. Argumentet s’mund të zëvendësohen me sharje e dhunë – me terma “tradhëtarë e shpihunë”! Është viti 2020”, thuhet në reagimin e Abdixhikut.

Lumir Abdixhiku u shpreh se përpjekjet agresive duhet të dënohen.

“Përpjekjet agresive për të ndaluar kthimin e Republikës në rrugë të mbarë e për të na izoluar e dërguar të gjithëve në theqafje – duhen të dënohen nga secili me minimalisht dinjitet”, ka shkruar ai në “Facebook”.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti është sulmuar sot gjatë ditës me vezë nga disa persona. Rasti ka ndodhur para ndërtesës së Qeverisë./21Media

Back to top button