QKUK jep detaje për të lënduarit në aksidentin që ndodhi në rrugën Prishtinë-Ferizaj
(Lajm i përditësuar)
Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me të lënduarit e sotëm në aksidentin që ndodhi në rrugën Prishtinë-Ferizaj, ku humbi jetën një person dhe u kënduan katër të tjerë.
QKUK ka njoftuar se pas orës një të mesnatës, pesë persona kanë kërkuar trajtim emergjent mjekësor, në kuadër të Klinikës Emergjente, si pasojë e aksidentit në trafik.
Sipas një komunikate të QKUK-së, ekipet mjekësore në përbërje të mjekëve emergjent, mjekëve të klinikave tjera dhe të infermierëve menjëherë kanë ofruar trajtimin e nevojshëm mjekësor.
“Edhe përkundër përpjekjeve maksimale të stafit mjekësor, njëri nga të aksidentuarit që ka ardhur në gjendje të rëndë shëndetësore, ka ndërruar jetë. Një tjetër i aksidentuar vazhdon të jetë në gjendje të rënduar shëndetësore dhe është transferuar për trajtim të mëtejmë në Mjekimin Intensiv Qendror-QKUK. Dy të aksidentuar të tjerë po vazhdojnë trajtimin mjekësor, njëri në Klinikën e Kirurgjisë Torkale dhe tjetri në atë të Neurokirurgjisë. Një person pas ndihmës dhe trajtimit emergjent mjekësor është liruar për në shtëpi”, thuhet në komunikatë.
Aksident me fatalitet në rrugën Prishtinë – Ferizaj
Një person ka vdekur dhe katër të tjerë kanë pësuar lëndime si pasojë e një aksidenti ku u përfshinë tri automjete në rrugën Prishtinë – Ferizaj.
Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Rasti ka ndodhur sot rreth orës 01:00.
“Në këtë aksident kanë qenë të përfshira, tri automjete (një veturë e parkuar), ndërsa dy kanë qenë në lëvizje. Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore kanë pësuar pesë persona, njëri nga të cilët nuk ka arritë të përballojnë plagët dhe i njëjti ka vdekur. Me rastin po merret hetuesia nga njësiti i trafikut rrugor”, ka thënë Ahmeti./21Media