Apostolova tha se të rinjtë duhet të angazhohen në luftimin e korrupsionit

Sipas saj, Kosova nuk do të arrijë progres drejt Evropës, pa angazhimin e rinisë

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova ka deklaruar se Kosova nuk do të arrijë progres drejt Evropës pa angazhimin aktiv të rinisë. Sipas saj është shumë e rëndësishme që të rinjtë të angazhohen në luftën kundër korrupsionit.

Këto komente Apostolova i ka bërë gjatë diskutimit me të rinjtë e shkollave të mesme për temën “Të mbështesë ndryshimin kulturor: roli i gjeneratave të reja për formësimin e vlerave të së nesërmes”.

“Korrupsioni natyrisht që është një nga prioritetet e BE-së, këtu në Kosovë është e rëndësishme posaçërisht pasi korrupsioni ndalon progresin, arsimin, shëndetësinë. Korrupsioni dhe nepotizmi, korrupsioni rrezikon të ardhmen e vendit që jeni ju rinia. Kjo është arsyeja pse BE-ja punon me Kosovën”, tha ajo dhe shtoi se rinia e sotme janë liderët e së ardhmes.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ëshë shprehur se korrupsioni duhet të luftohet për çdo ditë.

“Parandalimi i korrupsionit është shumë më i lehtë sesa luftimi. Ketë parandalim mund ta bëni ju rinia e Kosovës. Në Kosovë ka plotë pilitikan qe nuk janë të korruptuar. Personat e korruptuar dëshirojnë ti përfshijnë të gjithë si të korruptuar”, tha ai.

Drejtori i Agjencisë Kundër korrupsion, Shaip Havolli ka folur për punën që e bëjnë në fushën e arsimit.

“Është e vërtet se edhe në arsim ka korrupsion. Gjatë këtij viti kemi trajtuar disa raste në UP. Që kanë të bëjnë me nepotizëm, marrje dhe dhënie ryshfeti dhe plagjiaturë. Një numër i zyrtarëve dyshohet se janë pasuruar në mënyrë të jashtëligjshme”, tha ai.

Koalicioni i OJQ-ve “Java Kundër Korrupsionit 2018”, dje bëri hapjen e “Javës Kundër Korrupsionit 2018”. Në hapje mbajtën fjalë rasti Ambasadorët e Quintit dhe përfaqësuesi i Koalicionit të OJQ-ve.

Në Ditën Botërore të Korrupsionit, në sheshin “Skënderbeu” është vendosur një rosë e verdhë prej gome, tashmë si simbol botëror në luftën kundër korrupsionit. Përbri rosës është vendosur edhe një tabelë, në të cilën qytetarët kanë vendosur mesazhe kundër korrupsionit.

Back to top button