Arrestohen 10 persona në bashkëpunim me DEA-n amerikane

Janë konfiskuar armë dhe prova tjera materiale

Pas hetimeve të zhvilluara për një periudhë tremujore, Policia e Kosovës, Divizioni Kundër Krimit të Organizuar, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në bashkëpunim me DEA-n amerikane ka realizuar tri operacione policore.

Në njoftimin e dërguar nga policia e Kosovës thuhet se hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me zyrtarët amerikan në mënyrë paralele në të dyja vendet. Dy operacione janë realizuar në Republikën e Kosovës (rajoni i Pejës) dhe një në New York. Në mbështetje të realizimit të operacioneve kanë qenë pjesëmarrës: Drejtoria e Njësive Speciale, Drejtoria për Mbështetje të Hetimeve, Drejtoria e Forenzikës dhe njësi të tjera policore të PK-së në koordinim me Prokurorinë Speciale dhe gjykatën kompetente.

Operacioni i parë është realizuar me 18 qershor 2017 rreth orës 18:30, ndërsa operacioni i dytë është realizuar me 27 qershor 2017 rreth orës 19:45 në Klinë. Operacionet kanë rezultuar me arrestimin e katër (4) personave në Kosovë dhe gjashtë (6) personave në New York si dhe janë konfiskuar armë dhe prova të tjera materiale.

Personat e arrestuar në Kosovë janë: A. K, lindur me 1988, M. D, lindur me 1987, D. P lindur me 1994 dhe D. M lindur me 1989 .

Armët dhe dëshmitë tjera të konfiskuara janë: 15 armë automatike AK-47, 120 fishekë, 7.62 mm, 1 anti-tank (zolla), 1 pistoletë, 1 pushkë ajrore, 63000 € ( gjashtëdhjet e tremijë euro), 2 vetura, 4 telefona celularë.

Me urdhër të prokurorisë kompetente personat e dyshuar janë dërguar në qendrën e mbajtjes për procedura të mëtejme ligjore./21Media

Back to top button