Basha: Pseudo-padia e Ramës perversitet i shëmtuar antikombëtar

Basha: Pseudo-padia e Ramës perversitet i shëmtuar antikombëtar

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka reaguar për padinë që kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka ngritur ndaj kryeministrit në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Basha ka thënë se ‘ky akt i ulët që na turpëron të gjithëve meriton refuzimin dhe revoltën legjitime ndaj një kryeministri të dështuar fund e krye dhe ndaj falimentimit të tij politik dhe moral para Shqipërisë dhe mbarë kombit shqiptar’.‬

“‪Pseudo-padia e Edi Ramës ndaj kryeministrit të Kosovës është një perversitet i shëmtuar anti-kombëtar. Është turp i pakapërdishëm që Ramush Haradinaj, pas gjakut të tij dhe familjes së tij për çlirimin e Kosovës, pas betejave me akuzat e montuara të Beogradit, të përballet me pasojat e degjenerimit dhe vasalitetit të Edi Ramës. Ky akt i ulët që na turpëron të gjithëve meriton refuzimin dhe revoltën legjitime ndaj një kryeministri të dështuar fund e krye dhe ndaj falimentimit të tij politik dhe moral para Shqipërisë dhe mbarë kombit shqiptar”, ka thënë Basha.‬

Padia e Ramës është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Me pretendimet se Haradinaj ka shpifur me deklarimet e tij ndaj kryeministrit shqiptar, Edi Rama kërkon kompensim të dëmit. Padia e Edi Ramës, e cila përmban mbi 30 faqe, pretendon se Haradinaj ka shpifur ndaj Ramës, për deklaratat e tij që i ka dhënë në lidhje me temën e shkëmbimit të territoreve./21Media