Blerim Isufaj emërohet kryeprokuror i Prokurorisë Speciale të Kosovës

Asnjë votë kundër

Blerim Isufaj është zgjedhur kryeprokuror i ri i Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK).

Këshilli Proklurorial i Kosovës(KPK) ka votuar unanimisht që Isufaj me 10 vota të zgjidhet në krye të Prokurorisë Speciale.

Në garë për këtë post, bashkë me Isufajn ka qenë edhe prokurori Haki Gecaj, por ky i fundit nuk ka arritur të marr asnjë votë nga anëtarët e KPK-së.

Para votimit për kryeprokuror, KPK-ja mori vendim të refuzojë kundërshtimet e kandidatëve për kryeprokuror Armend Hamiti dhe Atdhe Dema, duke lënë në garë vetëm Blerim Isufaj e Haki Gecaj.

KPK më 3 shtator 2019, kishte zgjedhur panelet vlerësuese për emërimin e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Zgjedhja e këtyre paneleve, ishte bërë me anë të shortit, e ku përveç kryesuesit të KPK-së, Bahri Hyseni, i cili është anëtar ex-officio i këtyre paneleve, ishin zgjedhur edhe nga katër anëtarë tjerë nga radhët e KPK-së.

Në panelin vlerësues për emërimin e kryeprokurorit të PSRK-së, ishin zgjedhur si anëtarë, Bedrije Syla-Alshiqi, Radica Miliq, Dëshirë Jusaj dhe Zejnullah Gashi. Si anëtar të komisionit për rishqyrtim ishin zgjedhur, Arben Ismajli, Aleksandër Lumezi dhe Ikramije Bojaxhiu.

Kujtojmë se KPK-ja kishte dështuar dy herë gjatë këtij viti që të zgjedh kryeprokurorin e PSRK-së./21Media

Back to top button