Challandes: Ndaj Maltës duam tri pikë

Trajneri i Kosovës ka folur në prag të ndeshjes së nesërme

Kosova zhvillon ndeshjen e parafundit në grupet e Ligës së Kombeve, kur nesër në luan si mysafir i Maltës.

Ekipi kombëtar i Kosovës ka udhëtuar dje drejt kryeqytetit maltez Valleta, derisa sot trajneri Bernard Challandes ka dalë para gazetarëve për të folur rreth kësaj ndeshjeje.

Zvicerani pret që Malta të jetë një kundërshtar i fortë, por nga lojtarët e tij kërkon vetëm tri pikët që do ta mbajnë Kosovën edhe më tutje në krye të grupit.

“Kemi bërë paraqitje të mira deri më tani dhe jam i kënaqur me atë që kemi dhënë në këto ndeshje”, tha fillimisht Challandes. “Në këtë pikë po shohim se kemi shanse reale për ta mbyllur edicionin në vendin e parë të grupit, ndaj u kam kërkuar lojtarëve përqendrim, për të marrë maksimumin”. “E dimë se nuk do të jetë e lehtë ndaj Maltës, por ne jemi përgatitur që fillimisht të bëjmë një ndeshje të mirë dhe të shpresojmë të marrim tri pikët që janë edhe objektiv i yni”, theksoi ai.

Ndeshja mes Maltës dhe Kosovës luhet nesër (e shtunë) nga ora 18:00.

Back to top button