Deputetët kërkojnë që mësimi shqip në diasporë të financohet nga buxheti i Kosovës

Maloku ka kërkuar që një program i RTK-së t’i dedikohet diasporës

Gjatë diskutimit për Ligjin e Diasporës në Komisionin parlamentar për Punë të Jashtme, deputeti Glauk Konjufca ka kërkuar që për mësimin plotësues në diasporë të financohet nga buxheti i Kosovës.

Konjufca ka kërkuar që në projektligjin për buxhetin 2019 të futet programi për financim, që sipas tij, mund të jetë fond ndoshta miliona euro, por që ka shtuar se Kosova ka obligim ndaj diasporës, meqë mërgata është mjaft kontributdhënëse për Kosovën.

Ai ka llogaritur që në diasporë janë rreth 200 mijë fëmijë. Edhe deputetë tjerë kanë kërkuar që kjo ide për financim të inkorporohet në buxhet në kuadër të ligjit për Diasporën. Ministri i Diasporës ka thënë se kjo mund të bëhet nga të hyrat vjetore nga diaspora që janë rreth 700 milionë euro, të ndahen nga këto mjete 1%.

Por, Konjufca ka thënë se ato mjete nuk janë të shtetit, janë mjete të familjeve kosovare që nuk mund të jenë pjesë e financimit për diasporën.

Në fund edhe ministri i Diasporës, Dardan Gashi është pajtuar që kjo barrë e financimit mund të ndodhë edhe në mënyrë buxhetore nga viti 2020 ose edhe nga viti 2019.

Për Projektligjin e Diasporës që pati vërejtje nga deputetët, Gashi ka pranuar se nuk është perfekt. Deputetja e LDK-së, Doruntinë Maloku ka kërkuar që një program i RTK-së t’i dedikohet diasporës.

Deputeti Elmi Recica ka thënë se në kuadër të rëndësisë që ka diaspora të bëhet edhe ligji për Diasporën, pa pasur nevojë për nguti.

Fitore Pacolli nga VV ka pasur tri vërejtje për projektligjin, një ndër to sipas saj, është ajo për Qendrat Kulturore në Diasporë.

Ndërsa, deputetja Time Kadrija nga AAK ka thënë se nuk duhet të politizohet diaspora nga deputetët. Ndërkaq, kryetarja e Komisionit, Vjosa Osmani ka ngritur çështjen e investimeve nga Diaspora, që sipas saj, duhet të bëhet ndryshimi i Ligjit për Investime Strategjike, që t’u jepet mundësi diasporës të investojnë dhe të vazhdojnë të jenë vetëm burime financiare të familjeve të tyre.

Back to top button