Dogana njofton bizneset për procedurat e kontrollimit të naftës

Sot kompetencat për inspektimin e cilësisë së karburanteve të naftës iu bartën Doganës së Kosovës

Me vendim të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë kompetencat për inspektimin e cilësisë së karburanteve të naftës iu bartën Doganës së Kosovës, me qëllim të rritjes së kontrollit në pikat doganore për naftën e importuar në Kosovë.

Për të diskutuar mbi dispozitat e Udhëzimit Administrativ për Cilësinë e Karburanteve të Naftës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoz një diskutim me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganës së Kosovës dhe kompanitë e shpërndarjes së naftës.

Sipas komunikatës për media nga Oda Amerikane, drejtori i Përgjithshëm i Doganës, Bahri Berisha tha se bashkëpunimi i Doganës me sektorin privat është i një rëndësie të veçantë sidomos në aspekt të zbatimit të mirëfilltë të ligjit, zbatim i cili poashtu do të mundësohet përmes laboratorëve të sofistikuar me të cilët është pajisur Dogana dhe bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare.

Berisha theksoi se të gjitha kompanitë e shpërndarjes së naftës fillimisht duhet të jenë të pajisura me deklaratën e konformitetit dhe të cilësisë, 3% e të cilave do t’u nënshtrohen kontrollimit të cilësisë brenda ditës.

“Kompanitë e shpërndarjes së naftës u njoftuan nga zyrtarë të Doganës mbi procedurat përkatëse për kontrollimin e cilësisë së naftës së importuar në Kosovë, duke shprehur nevojën edhe për një trajnim të veçantë i cili do t’iu lehtësojë kryerjen e këtyre procedurave dhe si rezultat zbatimin e mirëfilltë të ligjit”, bëhet e ditur në komunikatë.

Back to top button