Dy dekada më parë, një akt çnjerëzor tronditi ndjenjat e botës demokratike

“Masakra e Reçakut, dëshmia e krimit gjenocidal në Kosovë”

Kryeminstri i Kosovës, Ramush Haradinaj me rastin e 20 vjetorit të masakrës se Reçakut ka bërë  homazhe në Kompleksin Përkujtimor në Reçak.

Haradinaj ka kujtuar këtë masakër si një akt çnjerëzor, i cili tronditi ndjenjat e botës demokratike dhe mobilizoi Perëndimin që të ndalte shfarosjen e tërë popullit.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj është shprehur se përjetë do t’i përkujtojë të gjithë ata që dhanë jetën për liri.

“Dy dekada më parë, një akt çnjerëzor tronditi ndjenjat e botës demokratike dhe mobilizoi Perëndimin, që me forcë ta ndalte shfarosjen e një populli të tërë. Masakra e Reçakut, dëshmia e krimit gjenocidal në Kosovë, shënoi momentin vendimtar të kthesës në luftën dhe përpjekjet tona për liri dhe pavarësi. Sot, në nderim të dëshmorëve e martirëve kam bërë homazhe në Kompleksin Përkujtimor në Reçak. Me pietet dhe respektin më të thellë, përjetë do t’i kujtojmë të gjithë martirët, dëshmorët dhe heronjtë, që me flijimin e tyre u bënë gurthemel i lirisë sonë” , ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Sot janë bërë 20 vjet që kur forcat policore dhe ushtarake serbe kishin kryer njërën nga masakrat më të dhimbshme kundër njerëzimit në Reçak. Në këtë masakër, ishin vrarë dhe masakruar barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur. /21Media 

Back to top button