Në mbledhjen e sotme të Qeverisë janë marrë edhe disa vendime tjera

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë janë marrë edhe disa vendime tjera

Qeveria e Kosovës sot ka ndarë afër 60 mijë euro mjete për pagesën e punonjësve me kontrata për shërbime të veçanta në rezidencën presidenciale “Ibrahim Rugova” (57 mijë e 934 euro).

Këtë vendim, kabineti qeveritar e ka marrë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës që po mbahet sot. Në muaj të vitit 2018 qeveria kishte ndarë 57 mijë e 944 euro për rezidencën e familjes së ish- presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, në lagjen Velania në Prishtinë.

Po ashtu, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që t’i vazhdojë mandatin Komisionit Qeveritar për Njohjen e Statusit të ish të dënuarve dhe të ish të përndjekurve politik, ka miratuar ndalimin e përkohshëm të eksportit të masës drunore si lëndë e papërpunuar nga Kosova në drejtim të vendeve tjera për arsye të dëmtimit në sektorin e përpunimit të drurit në Kosovë.

Në këtë mbledhje është miratuar edhe drafti i koncept dokumentit për politikën “Aplikimi për vende pune nga pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë, që posedojnë diploma të lëshuara nga institucionet paralele arsimore në Kosovë ku zhvillohet mësimi në gjuhën serbe, drafti i strategjisë kombëtare të Kosovës për parandalimin dhe luftimin e ekonomisë joformale, pastrimin e parave, financimin e terrorizmit dhe krimeve financiare 2019-23 dhe planin e veprimit 2019-21″.

Në këtë pikë, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi është shprehur se për këtë duhet të jetë i informuar edhe MAShT-i, si institucion i cili edhe lëshon certifikatat.

Në kuadër të kësaj mbledhjeje është miratuar edhe nisma për lidhjen e marrëveshjes dy palëshe për qarkullimin ndërkufitar të mbeturinave, respektivisht eksportin e importin e mbeturinave me Republikën Federale të Gjermanisë dhe atë të Kroacisë. Ndërsa, është miratuar edhe propozim-vendimi për emërimin e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Punësimit të Republikës të Kosovës, në kuadër të Ministrisë së punës dhe Mirëqenies Sociale.

Kurse, zëvendësministrja e MAP-së, Adriana Hoxhiq ka prezantuar raportin për funksionimin e kuvendeve të komunave për periudhën janar-mars 2019.