Avdi Ibrahimi i ftuari i radhës

Avdi Ibrahimi i ftuari i radhës

Ish-zëvendëskomandanti i Brigadës 128 i Zonës Operative të Pashtrikut (ZOP), Avdi Ibrahimi, mori ftesë nga Gjykata Speciale në Hagë. Ibrahimi përmes një njoftimi në Facebook, bëri të ditur se ai do të paraqitet në Dhomat e Specializuara në Hagë më 2 tetor 2019.

Përmes një shkrimi në Facebook, Ibrahimi njoftoi se ftesën e ka marrë sot, ai tha se do t’i përgjigjet kësaj thirrjeje të Speciales.

“Të nderuar, dhe shumë të respektuar bashkëkombës, ndjej një obligim moral e qytetar t’ju njoftoj se sot rreth ores 14, 20 minuta kam marrur ftesë nga Dhomat e Specializuara në Hagë të paraqitem më date 02 tetor 2019. Përkundër bindjeve që kamë për këtë gjykat politike të sajuar nga shpifjet, të pavërtetat e shtetit serbë për ta njollosur luftën e pastër të UÇK-së, edhe pse unë nëpërmjet shkrimeve të cilat i kam bërë publike kam shprehur hapur kundërshtimin e kësaj gjykate të ngritur mbi bazën e raportit të Dik Martit, por që e ka miratuar Këshilli Europian. Njiherit është miratuar edhe në Kuvendin e Koosvës. Edhe pse dihet botërisht se në luftën e Kosovës shteti i Serbisë ndaj popullatës së Kosovës ka kryer krime ekonomike, shkatërrime, e ka bërë plaqkitje nga më të ndryshme, njikohësisht edhe ka bërë masakra të papara mbi popullatën shqiptare në të gjitha grup moshat. Duke besuar në drejtësi të paanshme, do të paraqitem në kohën e caktuar në hetuesin e Gjykatë Speciale për intervistim.”, shkroi ai në Facebook.

Ndër tjerash, përmendi edhe intervistimin e tij nga Gjykata Speciale e EULEX-it.

“Jam intervistuar vite më parë, edhe dy here të tjera nga Gjykata Speciale e EULEX, dhe deklarata ime ka qenë publike, se vërtet unë nuk kamë asfarë njohurie të ketë bërë dikush nga njerëzit e UÇK-së ndonjë krim, pretendime të tilla të pabaza i kam hedhur poshtë dhe ashtu do të ndodhë edhe në rastin kur të paraqitem sërish para Gjykatës Speciale të Hagës.”, shkroi Ibrahimi.

Sot, kryeministri i Kosovës në largim, Ramush Haradinaj udhëtoi drejt Hagës për tu intervistuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë si i dyshuar. Përveç Haradinajt, drejt Hagës udhëtoi edhe i pari i këshillit kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi është nisur për në Hagë në orët e hershme të mëngjesit./21Media