Ekipi negociator i dorëzoi platformën Kuvendit

Kërkohet nga deputetët të trajtohet seriozisht platforma

Ekipi negociator i ka dorëzuar sot platformën Kuvendit. Pas dorëzimit të platformës, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se me këtë platformë garantohet sovraniteti dhe integriteti i vendit.

” Kjo (platformë) nënkupton sovranitet të plotë, integritet të plotë, garanton që nuk do të ketë asociacion me kompetenca ekzekutive, garanton përgjegjësitë qe ka shteti sovran i Kosovës. Kuvendi do ta shqyrtojë në afatin sa me të shpejtë. Do ta miratojmë këtë platformë. Ndërsa fjalën finale, për marrëveshjen finale do ta kenë qytetarët e Kosovës”, ka thënë ai.

Këtë e ka pohuar edhe kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti i cili ka thënë se në këtë platformë nuk flitet për demarkacion, këtu flitet për kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ahmeti ka thënë se sot është i qartë qëndrimi zyrtar i Kosovës për dialogun me Serbinë.

“Sot i japim fund spekulimeve se çfarë bëhet fjalë në këtë platformë. Në këto 11 parime, e kemi bërë të qartë se cili është qëndrimi zyrtar i Republikës së Kosovës nëse aprovohet nga Kuvendi, karshi marrëveshjes finale me Serbinë. Platforma bazohet plotësisht në Kushtetutën e Kosovës, sa i përket sovranitetit dhe integritet territorial të Republikës së Kosovës. Dhe këtë do ta ruajmë”, ka thënë ai dhe ka shtuar se përmes këtij dialogu synohet të zgjidhen edhe çështjet e hapura, por të mos cënohet shteti.

Bashkëkryesuesi i ekipit negociator, Fatmir Limaj u ka bërë apel deputetëve që ta trajtojnë seriozisht këtë Platformë dhe e njëjta të miratohet nga Kuvendi.

“Platforma është e drejtuar në respekt të dy shteteve, nuk do të ketë pretendime të Kosovës ndaj shtetit fqinjë. Parimet janë ato të cilat garantojnë që në këtë pjesë të rajonit të ndërtohet paqja”, ka thënë Limaj dhe ka shtuar se të gjithë duhet ta kenë të qartë që Kosova shkon në Bruksel për njohje, për asgjë tjetër./21Media

Back to top button