Shala: Qëllim kemi që produktet tona t’i plotësojnë standardet e BE-së

Shala: Qëllim kemi që produktet tona t’i plotësojnë standardet e BE-së

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të jetë krahë prodhuesve vendor duke i ndihmuar që t’i certifikojnë produktet e tyre në mënyrë që të kenë mundësi për të eksportuar produktet e tyre.

Kështu ka thënë ministri i MTI-së Endrit Shala, pas vizitës që sot i ka bërë kompanisë vendore “Meka”, për të cilën ka thënë se është një kompani e cila i përmbushë të gjitha standardet e BE-së.

E njoftova për mundësitë të cilat i ofron edhe MTI dhe fokusin tonë në përkrahje të prodhimit vendor duke i ndihmuar që t’i certifikojnë produktet e tyre. Krejt kjo me qëllim që produktet të cilat prodhohen në Republikën e Kosovës t’i plotësojnë standardet të cilat kërkohen në BE, e me këtë kompanitë tona t’i plotësojnë të gjitha kriteret që ta kenë më të lehtë eksportin e produkteve tona edhe në vendet e tjera“, tha ministri.

Ministri tha se kompania Meka trajton në mënyrën më të mirë punëtorët e saj, duke përmendur që kjo kompani ka dhënë edhe pagën e 13 dhe të 14. Sipas tij, të gjitha kompanitë dhe prodhuesit, duhet të marrin shembull nga kjo kompani.

Ndërsa, pronari i kompanisë “Meka” Burim Piraj, ka thënë se që nga ardhja e ministrit Shala kanë parë hapa konkret.

Ai ka thënë se një ndihmesë shumë e madhe për prodhuesit vendor është taksa që i është vendosur produkteve që importohen nga Serbia.

Ju falënderojmë për hapat që i keni ndërmarrë në vendosjen e flamujve karshi produkteve të ndryshme që gjenden nëpër markete, ashtu që konsumatorët të jenë së paku vizualisht të njoftuar se çfarë produktesh po blen. Gjithashtu, ju përgëzojmë për vendosjen e taksës kundrejt Serbisë. Edhe pse ky vendim i juaji është vendim politik, mirëpo ka pasur ndikim të konsiderueshëm ekonomik dhe ne në kompaninë tonë që nga aplikimi i taksës kundrejt Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës kemi punësuar punëtorë të ri, pasi që një produkt ka qenë që importohet nga Bosnja dhe neve na ka mundësuar të kemi një mundësi më të madhe në treg“, tha ai.

Ministri Shala gjatë ditës e ka vizituar edhe kompaninë “Hit Flores”, e cila merret me përpunimin dhe grumbullimin e bimëve malore.