Gjermania po përgatitet për mijëra protestues të dhunshëm

Samiti G20 në Hamburg

Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Tomas De Maizier, deklaroi se forcat gjermane të sigurisë presin që rreth 8 mijë protestues të dhunshëm do të tubohen gjatë fundjavës në Hamburg, ku kancelarja Angela Merkel do të jetë nikoqire e samitit të shteteve anëtare të grupit G20.

Maizier tha se rreth 20 mijë policë do të sigurojnë samitin që do të zhvillohet më 7 dhe 8 korrik në qytetin e dytë për nga madhësia në Gjermani, ku pritet se trazirat do të shkaktohen nga pjesëmarrësit në demonstratat anti-kapitaliste.

Ndërkohë, mediat gjermane kanë vlerësuar se nga nikoqiri pritet që të siguroi suksesin e konferencës dhe një gjë e tillë, duke pasur parasysh rrethanat ekzistuese, nënkupton se Merkelin e pret një punë mjaft e vështirë.

Në Hamburg do të shkojnë edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ai i Rusisë, Vlladimir Putin dhe Presidenti i Turqisë, Rexhep  Erdogan. Sipas mediave gjermane, ata në Hamburg në qendër të vëmendjes do të kenë para se gjithash interesat e vendeve të tyre.

Erdogan vizitën në Hamburg me dëshirë do ta shfrytëzonte, për t’iu drejtuar turqve që jetojnë në Gjermani, përkundër faktit se qeveria gjermane ka refuzuar kërkesën e tij për paraqitje publike.

Trump nga ana e tij synon ta shfrytëzoi samitin, për të zhvilluar takimin e tij të parë me Putinin. Sipas mediave ruse, takimi mes Trumpit dhe Putinit do të zhvillohet më 7 korrik.

Duke pasur parasysh këtë ndërthurje të interesave, Merkel e di se në Hamburg nuk mund të priten biseda të lehta. Me gjasë një nga temat më të vështira në samit do të jenë diskutimet për marrëveshjen për klimën, të nënshkruar në Paris, në vitin 2015, nga e cila administrata e Trumpit vendosi të tërhiqet, duke kërkuar një marrëveshje të re, vlerësuan mediat gjermane./21Media

Back to top button