Haziri ka apeluar qytetarët për kursim maksimal të ujit

Haziri ka apeluar qytetarët për kursim maksimal të ujit

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka deklaruar se kësaj komune i nevojiten nga 12-15 milionë euro për zgjidhjen e problemeve afatmesme të furnizimit me ujë të pijshëm, në trajtimin e lumit Llapushnica dhe lumit Kremenata.

Për t’i dhënë zgjidhje problemit të ujit, kreu i Gjilanit ka pritur në takim pune një delegacion të Bankws  Botërore, të kryesuar nga Pieter Pwaalewijn.“Vizita e sotme e z. Pieter Pwaalewijn dhe delegacionit të Bankës Botërore, ka të bëj me zgjidhjen e problemit të ujit të pijshëm në periudhën afatmesme dhe afatgjate në Gjilan dhe komunat tjera të regjionit. Si masë emergjente, po punojmë në pesë puset e reja që Komuna e i financuar, por Banka Botërore përmes projektit, parasheh që të renovojë dhe sanojë rrejtin e ujësjellësit në Hidromoravë, përfshirë edhe gypin kryesor dhe ujëmatësit, sepse 57 përqind e furnizimit me ujë është humbje në rrjet, jo vetëm për shkak të sistemit, por edhe për shkak të kyçjeve ilegale dhe marrjes së ujit në mënyrë të paautorizuar”, ka deklaruar Haziri pas takimit.

Ai ka thënë se me Bankën Botërore dhe me përfaqësues të ministrive përkatëse, po punojnë në partneritet, mirëbesim dhe konfidencë të plotë për t’i dhënë zgjidhje problemit me ujë të pijshëm.“Ne po punojmë me konfidencë dhe partneritet, që Banka Botërore si lidere në këtë program së bashku me Komunën, Hidromoravën dhe Qeverinë, t’i japim zgjidhje afatmesme këtij problemi dhe pastaj zgjidhje afatgjate. Ky problem nuk mund të zgjidhet brenda natës, por po punojmë shumë për ta përballuar këtë krizë të ujit”, ka thënë Haziri.

Pieter Pwaalewijn, udhëheqës i ekipit të projektit Flows të Bankës Botërore, ka deklaruar se po punojnë bashkë me Komunën, Hidromoravën, Ministrinë e Financave, Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, për ta gjetur një zgjidhje për mungesën e ujit, e cila është e dukshme në rajonin e Gjilanit.“Pjesa e projektit përfshinë krijimin e rezervuarëve të ujit dhe dhënia e granteve për të cilën kemi pasur bisedime me Komunën dhe Hidromoravën, me qëllim të reduktimit të humbjeve të ujit, e ngritjen e eficiencës, për t’i eliminuar problemet e tanishme. Prandaj, ne i kemi këto takime për të analizuar nevojat e Komunës së Gjilanit dhe komunave tjera në rajon, me shpresë që të sigurojmë një të ardhme më të sigurt me furnizim stabil të ujit, për ta përmirësuar dhe avancuar infrastrukturën”, ka thënë Pwaalewijn duke shtuar se së shpejti do të dalin me shifrën e mbështetjen financiare për Gjilanin.

Kryetari i Komisionit Ndërministror të Ujërave, Baton Begolli, ka theksuar se bashkë me Hazirin dhe përfaqësuesit e Hidromoravës, po punojnë për sigurimin e fondeve nga qeveria e Katarit.“Gjendja e thatësisë na është përsëritur sërish pas viteve 2012-2013. Nga ajo kohë, ne ndërmorëm disa masa, duke e nisur projektin e studimit të fizibilitetit për Lepenc, që do të jep një zgjidhje afatgjate për këtë rajon për 99 vitet e ardhshme. Në koordinim me kryetarin Haziri dhe Hidromoravën, jemi pranë sigurimit të disa fondeve emergjente nga Qeveria e Katarit, për të ndihmuar në shpimin e disa puseve të reja. Por, pa përmirësim të reshjeve, edhe puset e kanë jetëgjatësinë e tyre. Shpresojmë që të ketë reshje”, ka thënë Begolli.

Në fund, Haziri ka apeluar qytetarët për kursim maksimal të ujit, derisa i ka falënderuar për solidaritet të jashtëzakonshëm qytetar.