Halil Kastrati rrëfen për përvojat e tij

Personazhi i vitit 2018

T’u qëndrosh pranë dhe t’ua zgjatësh dorën të tjerëve kur kanë nevojë, vetëm njerëzit fisnikë arrijnë ta bëjnë.  I tillë është edhe Halil Kastrati, i cili me plotë meritë është emërtuar “Personazhi i vitit 2018”, shkruan rtv21.tv

Si urë lidhëse midis skamnorëve dhe vullnetarëve për të ndihmuar, falë tij shumë familje gëzojnë një kulm mbi kokë.

Personazhi i vitit në emisionin “Për ditë të mbarë” që transmetohet në Radiotelevizionin 21, tregoi se shoqata bamirëse “Jetimat e Ballkanit” është krijuar në fund të vitit 2009. Fillimisht, Kastrati tha se nuk ka menduar që si shoqatë do ta ketë suksesin që ka sot, por ky është sukses i thellë.  Kastrati tha se tri vitet e fundit strehuan mbi 250 familje, 120 prej tyre vetëm këtë vit, transmeton rtv21.tv

Por, ai nuk ishte i vetëm në këtë rrugëtim, falë gurbetqarëve e donatorëve nga Kosova kjo organizatë po iu del në ndihmë familjeve nevojtare.

Personazhi i vitit potencoi se ideja për t’i dhuruar 28 palë çelësa, 28 familjeve nevojtare për 28 Nëntor ka qenë ide e tij.

“Para 28 Nëntorit ne e kemi pasur muajin e ramazanit, ku unë kam qenë në një tribunë në Gjermani me bashkatdhetarët tanë, shumë para Ramazanit dhe kemi thanë që mendojmë që për muajin ramazan t’i sistemojmë 30 familje me strehim, bohet fjalë për këtë vit. Falë Zotit kemi sistemuar 42 familje me strehim. Mas saj neve kemi startuar me 50 shtëpi tjera përnjëherë. Ka qenë ide e imja personale të dhurohen 28 shtëpi për 28 familje nevojtare. E kam theksu dhe dua të theksojë se në këta 28 palë çelësa janë të inkuadruara edhe tri komuna, komuna e Prizrenit, Dragashit dhe Suharekës, që kanë participu edhe ato për këto 28 familje me nga 5 mijë euro, ndërkaq “Jetimat e Ballkanit” me nga 13 mijë euro për secilën familje”, tha ai.

Kastrati shtoi se takimi me këto familje iu dhuron atyre emocione të veçanta, e është shumë e vështirë të përmbahen e të mos qajnë.

“Ka shumë raste, me thanë të drejtën nuk e kemi lehtë hiç. Nuk është kollaj t’i rrish përballë një babe që loton, ose një nane që ofshan. Ofshamat e saj na prekin në zemër. Janë ba shumë familje edhe kemi shumë raste. Kanihere se komandojmë lotin. Rasti më i freskët, një shtepi e kemi dhanë në Shtime për dy fëmijë, pa asnjërin prind. Duke pas parasysh që atë ngrohtësinë që kanë nevojë s’mund t’ua ofrojmë, bëhet fjalë për ngrohtësinë shpirtërore. Por të paktën kur e sheh buzëqeshjen në fytyrat e tyre që sot ata kanë me jetu një jetë më të lumtur, me kushte më të mira, të ngel në mendje fjala e njërit prej tyre, se do t’i thërras shokët e klasës në shtëpi, se edhe unë kam shtëpi të mirë e të bukur”, tha Kastrati.

Ai përmendi edhe një rast të një djaloshi që filloi të ecë falë ndihmës së kësaj shoqate.

Në planet për vitin 2019, Kastrati tha se do të jetë vit me plotë punë dhe madje për 17 shkurt paralajmëroi se do të ketë diçka shumë të madhe.

Duke mos lënë anash jetën private, Kastrati ndau një përvojë të dhimbshme nga jeta e tij, e cila i dha forcë për të vazhduar përpara. Djali i tij vuan nga autizmi, e ka humbur edhe shikimin. Por, fatmirësisht ka shpresa që do t’i kthehet shikimi. Me ndihmën e Zotit, Kastrati shpreson se do t’ia dalë mbanë./21Media

Back to top button