Hapet panairi “Prishtina 2018”, pjesëmarrëse 70 kompani nga Serbia

170 kompani pjesëmarrëse, 70 nga Serbia dhe një nga Shqipëria

Sot është hapur panairi ndërkombëtar “Prishtina 2018”, ku me këtë rast kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, tha se agjendat politike kanë lënë në hije ekonominë e Kosovës, por aktivitetet e këtij lloj e bëjnë Prishtinën kryeqytet të Ballkanit për promovimin e vlerave të ekonomike.

“Këtë panair e bënë të veçantë pjesëmarrja e shumë kompanive të mëdha nga vendi, rajoni dhe me gjerë. Besoj se kjo pamje sot flet më shumë se një mijë fjalë për promovim në vendet botërore. Andaj, sot po promovojmë një vlerë integruese”, tha Gërxhaliu.

Ai ka shtuar se do të jetë paraqitja e tij e fundit ndoshta, pasi zgjedhjet në OEK do të mbahen shpejt dhe do të ketë një kryesi të re.

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës Enver Hoxhaj tha se ndërtimi i një shoqëri me një ekonomi të fortë do të jetë prioritet yni që ka të bëjë edhe me integrimin në BE.

“Ky panair përkon me një datë të rëndësishme, me pranimin e raportit të KE-së nga ana e Apostolovës. Indikatori i dytë është edhe raporti i BB që paraqet Kosovën me rritje ekonomike 4.8 për qind. Ky panair dëshirojmë që të ketë pjesëmarrje nga vendet e BE dhe jashtë saj. Në këtë vit në panair po marrin pjesë 170 biznese, dëshirojmë që vitin e ardhshëm të ketë edhe më shumë”, tha Hoxha.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani tha se panairi i sotëm është një mundësi e mirë për promovimin e bizneseve, ndërkohë që u ka bërë thirrje kompanive që ta shfrytëzojnë këtë mundësi, pasi ekonomia e Kosovës vetëm kështu mund të zhvillohet.

“Deri më tani kemi marrë disa masa për mbrojtjen e prodhuesve, siç është prodhimtaria e miellit, bllokave dhe qumështit, andaj, po punojmë maksimalisht që t’i adresojmë kërkesat e bizneseve”, tha Hasani.

Në këtë panair të organizuar nga OEK-u, ka marrë pjesë edhe ambasadori i Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi, i cili vlerësoi lart këtë organizim për promovimin e bizneseve dhe prodhimeve. Po ashtu në panair ka marrë pjesë edhe kryetari i Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Cadez.

Ndryshe në panair po marrin pjesë rreth 170 kompani, prej tyre 70 janë nga Serbia dhe vetëm një nga Shqipëria.

Dje Klubi i Prodhuesve të Kosovës u ka bërë thirrje bizneseve kosovare që ta bojkotojnë panairin me arsyetimin se iu është dhënë hapësirë e madhe bizneseve nga Serbia.

OEK-u ka reaguar ndaj thirrjes së Klubi të Prodhuesve, duke i quajtur pseudopatriotë.

Ndërsa, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi ka fajësuar Odën Ekonomike të Kosovës, se nuk ka bërë një organizim të duhur dhe nuk i ka njoftuar bizneset shqiptare për të marrë pjesë në panairin “Prishtina 2018”, pasi bizneset e Shqipërisë kanë interes për të marrë pjesë në panairet e Kosovës.

Për më shumë lexo edhe artikujt e mëposhtëm

https://rtv21.tv/klubi-i-prodhuesve-te-kosoves-kerkon-nga-kompanite-prodhuese-te-bojkotojne-panairin-prishtina-2018/

OEK reagon ndaj thirrjes së Klubi të Prodhuesve, i quan pseudopatriotë

Back to top button