Haradinaj kërkoi që t’i zvogëlohet rroga

“Kryeministrit po, i takon me e ulë”

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë një takimi me minatorët në Mitrovicë, ka thënë se ka kërkuar nga ligjvënësit që t’i zvogëlojnë rrogën atij.

Kreu i ekzekutivit ka thënë se më parë, nuk ka pasur ligj për pagat në Kosovë. Ai tha se më në fund po bëhet ligji.

Sipas tij, nëse më 31 janar, kur edhe pritet të votohet ligji në fjalë, mbetet ndonjë sektor i pakënaqur, menjëherë do të bëhet amandamentimi i tij.

“Kam kërku prej këtyre që e bëjnë ligjin, me e ulë vetëm një pagë, të kryeministrit, vetëm atë kam thënë ule. Mos me prek asnjë pagë që paguhet prej publikut, kryeministrit po, i takon me e ulë. Kam kërku krejt sektorëve me iu rritë, 80 milionë e shtojmë koston e ligjit në vit, qetash. E kam pa që me ligj, me mandat qeverisës, hala pa shku në fund të mandatit  pak para zgjedhjeve që jemi kah veprojmë kështu. Të nderum qytetarë të Mitorovicës, nuk e nisa me qëllim em atë që iu dhemb më së shumti, e që na dhemb të gjithëve si vend, unë në Reçak e kam thënë…, kam thënë që s’ka ma kush jep naj copë tokë të Kosovës kërkujt”, tha Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës ka pagë mujore 2 mijë e 950 euro. Ndërsa, nëse e krahasojmë me pagat e vendeve të rajonit del se Haradinaj ka pagën më të lartë. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pagën mujore e ka 1700 euro. 1300 e ka kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev. Ndërsa, kryeministri i Malit të Zi dhe ajo e Serbisë kanë pagat më të ulëta, Malazezi Dusko Markoviq e ka rrogën 1130 euro, ndërsa kryeministrja serbe Ana Bërnabiq paguhet vetëm 1000 euro në muaj.

Back to top button