Haradinaj: Me rritjen e buxhetit, kemi dëshmuar se jemi për arsim cilësor

Qeveria aktuale po i jep prioritet arsimit duke bërë reforma që do të ngritin cilësinë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sot në takim ka pritur përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, të kryesuar nga Rrahman Jashari. Me këtë rast, gjatë takimit, kryeministri Haradinaj i ka dëgjuar përfaqësuesit e kësaj sindikate për shqetësimet e tyre, që lidhen konkretisht me Projektligjin për pagat.

“Rritja e buxhetit në arsim është një nga hapat e shumtë që ne si Qeveri kemi ndërmarrë për ta përmirësuar gjendjen në këtë sektor. Krahas kësaj është bërë edhe punë e madhe me Ligjin e pagave, duke i zyrtarizuar pagat e mësimdhënësve që deri tani, bazoheshin në vendime dhe në shtesa të rrezikshmërisë”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Ai gjithashtu ka përmendur nevojën që ky ligj të kalojë sa më parë në Kuvendin e Kosovës dhe pas kësaj të hapet rruga për të bërë përmirësimet e nevojshme në të ardhmen, por në të njëjtën kohë tha se do të angazhohen që edhe në Komisionin Parlamentar të bëhen përmirësimet e nevojshme.

Kryeministri Haradinaj ka shtuar se Qeveria aktuale po i jep prioritet arsimit duke bërë reforma që do të ngritin cilësinë për një arsim më të mirë në vend.

“Me rritjen e buxhetit për arsim në 12 për qind se sa viti i kaluar, ne po dëshmojmë se jemi për cilësi dhe arsim të merituar dhe shqetësimet e të gjithëve tashmë kanë adresë”, ka theksuar kryeministri Haradinaj në takimin e sotëm me përfaqësues të SBASHK-ut.

Kurse, përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë e kanë falënderuar kryeministrin Haradinaj për pritjen në takim dhe angazhimin e tij që t’i dëgjojë ankesat e tyre të fundit që lidhen me Ligjin e ri për pagat.

Gjatë kësaj dite, Haradinaj pritet ta vizitojë Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, në orën 15:00. /21Media

Back to top button