Haradinaj: Mogherini e ka mbyt dialogun, e ka ç’rregullu

Sipas Haradinajt, deklarata e Mogherinit është e papranueshme

Pas mbledhjes së Qeverisë, kryeministri, Ramush Haradinaj në konferencë për media ka thënë se deklarata e shefes së diplomacisë evropiane, Federica Mogherini që të largohet taksa dhe që nuk e përjashtoi mundësinë e ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, dhe se një korrigjim i mundshëm nuk do të duhej të jetë i bazuar përmes vijave etnike, është i papranueshëm.

Haradinaj tha se Mogherini me këtë deklaratë të saj e ka mbytur dialogun, e ka çrregulluar, dhe kjo deklaratë nuk po shkon në favor të normalizimit të raporteve por në destabilizim të rajonit.

Sipas Haradinajt, deklarata e Mogherinit është e papranueshme dhe mendimi i saj nuk vlen për të, e madje edhe për një pjesë të Kosovës. Ai tha se marrëdhëniet me Evropën nuk lidhen as me përfaqësues e as me kryeministra.

Ndërkaq, i pyetur se a do të ndërmarrin masa shtesë ndaj Serbisë, Haradinaj tha se i kanë identifikuar të gjitha veprimet potenciale, mirëpo taksa 100 përqind është e efektshme. Në rast se Serbia do të ndërmerrte masa agresive, atëherë edhe Kosova do të ndërmerrte diçka.

Dje, Mogherini në një konferencë shtypi pas një takimi të ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel, përsëriti se vendimi i autoriteteve kosovare për tarifat për mallrat nga Serbia dhe BeH po e minon dialogun dhe e ftoi Prishtinën ta tërheqë këtë vendim, pasi dialogu duhet të udhëhiqet në një atmosferë besimi dhe respekti. Ajo gjithashtu vuri në dukje se të dy palët mund të arrijnë një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve, por vendimi për këtë i takon Prishtinës dhe Beogradit, dhe jo Brukselit.

Në mbledhjen e Qeverisë u aprovua kërkesën e kreut të ekzekutivit, Ramush Haradinaj lidhur me shtesat prokurorët specialë, kjo me qëllim të luftimit të korrupsionit. Në mbledhjen e Qeverisë, Haradinaj e propozoi për aprovim kërkesën e Këshillit Prokurorial, që parasheh shtesa për prokurorët e speciales 400 euro, ndërkaq për kryeprokurorin 500, që në total janë 66 mijë e 800 euro./21Media

Back to top button