Haskuka foli për problemet në VV dhe ato në Prizren

Largimet që kanë prekur nivelin qendror të VV-së, sipas Haskukës nuk kanë shkaktuar ndonjë problem në Prizren

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka ka thënë se i është dukur absurd qëndrimi i ish-bashkëpartiakëve, të cilët kanë thënë se do të largohen, nëse Albin Kurti kandidon për kryetar partie.

Duke folur për largimin e 12 deputetëve nga partia e Kurtit, Haskuka ka pranuar se ka qenë sfidë e madhe largimi i atyre që veprimtarinë politike zgjodhën ta vazhdojnë në PSD.

Ai ka thënë se nuk ka qenë e shëndoshë logjika e kundërshtimit të Kurtit për postin e të parit të Vetëvendosjes.

Në një intervistë për Kp, Haskuka ka folur edhe për problemet që ka Prizreni.

“Logjika e kundërshtimit të kandidimit të Albin Kurtit për kryetar të Vetëvendosjes nuk ka qenë e shëndoshë. Në fillim kur kanë dalë deputetët e kanë kundërshtuar kandidimin e Albin Kurtit, kanë  thënë që nëse Albini bëhet kryetar ne do të dalim nga Lëvizja Vetëvendosje, mua më është dukur si absurd. Nëse nuk mundesh me u anku për demokratizim edhe me ja blloku dikujt tjetër të drejtën për kandidim. Nëse je i zoti del si kundër-kandidat, e paraqet platformën tënde, thua që platforma ime në Lëvizje Vetëvendosje është kjo, edhe kishin votuar edhe shumë më mirë kishte me qenë për demokracinë në Kosovë. Fillimisht u pa që është çështja e kësaj, e pastaj një qëllim tjetër për formimin e një partie tjetër”, ka thënë ai.

Largimet që kanë prekur nivelin qendror të partisë, sipas Haskukës nuk kanë shkaktuar ndonjë problem në Prizren.

“Unë personalisht nuk kam menduar që do të ndodh një gjë e tillë, por njerëzit po kanë interesa të ndryshme dhe po ka gjëra të tilla që po ndodhin. Në Prizren fatmirësisht nuk kemi pasur një problem të tillë, ka pasur disa largime por, në përgjithësi nuk ka pasur problem në aspektin e strukturës organizative. Por, normal që ka qenë një sfidë e madhe. Sepse, cilado parti nëse një pjesë e deputetëve dalin nga ata, paraqet problem”, ka thënë Haskuka.

Duke thënë se e ka marrë drejtimin e komunës me shumë probleme, Haskuka ka shtuar se Prizreni ka borxhe të mëdha.

“Sfida kryesore e komunës së Prizrenit që do të mbetet në vitin e ardhshëm, është numri i padive që janë ndaj komunës. Në fillim të vitit kur kemi bërë analizën e gjendjes kanë qenë rreth 700 raste të gjykatës, që i bie që përfaqësuesi ligjor i komunës me u marrë me 5 raste deri në 10 në ditë që ka qenë e pamundur. Po pa marrë parasysh problemet pronësore, problemet  e uzurpimit dhe probleme me çështje të tjera, tash na mbetet puna e implementimit të projekteve dhe radhitjes së synimeve”, ka shtuar Haskuka.

Një nga premtimet e Haskukës  ishte zvogëlimi i drejtorive, mirëpo kjo gjë ende nuk është realizuar. Sipas tij, fakti që është në koalicion me parti të tjera i pamundëson të realizoi shumë nga ato që ka premtuar.

“Në një analizë që pata bërë gjatë premtimeve të mia ka qenë edhe kjo. Por, ju e dini që kemi qenë në balotazh edhe për shkak të problemeve që i ka komuna, për shkak të rregulloreve që na vyejnë, mendoj që duhet të ndryshojmë edhe statutin e komunës  vitin e ardhshëm edhe shumë çështje që duhet me u votu në asamblenë komunale. Ne kemi shkuar në një koalicion më të gjerë edhe për shkak të koalicionit normal që nuk kemi mundur me arrit. Por, kjo do të mbetet një synim, i kemi katër vite. Për këto gjëra duhet ndryshime statutore dhe do të shikojmë se sit a bëjmë edhe këtë”, ka thënë ai.

Përveç kësaj, Haskuka nuk ia ka dalë as që të rrisë numrin e grave që udhëheqin me drejtoritë komunale. Një problem tjetër, për të cilin kryetari i Prizrenit ka thënë se po punojnë që ta zgjidhin është trafiku në qytet.

Back to top button