Haxhiu: Gjykata i dha të drejtë atyre që mbytën shpresën e rinisë

Haxhiu kërkon urgjent krijimin e Qeverisë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për lirimin nga akuza të të akuzuarve për rastin “Pronto”.

Haxhiu tha se aktgjykimi lirues për të akuzuarit e aferës Pronto është goditje e rëndë për shtetin e së drejtës.

Sipas saj, trupi gjykues i dha të drejtë abuzuesve.

Gjykata sot, i dha të drejtë atyre që ia kanë mbytur shpresën rinisë dhe qytetarëve të Kosovës me veprime kriminale me qëllim të kapjes së shtetit. Çfarë prova i janë dashur trupit gjykues, kur të gjithë me veshët tanë i kemi dëgjuar abuzuesit?! Aktgjykimi i sotëm është vula e shtetit të kapur. Është aktgjykim që thërret për angazhim deri në çkapjen e shtetit andaj nuk ka kohë për të humbur sepse është nevojë urgjente krijimi i Qeverisë së re”, shkroi Haxhiu në Facebook.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ish-deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti dhe tetë të akuzuarit tjerë janë shpallur të pafajshëm për veprën penale “shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”.

Ata akuzoheshin se gjatë muajit tetor, nëntor e dhjetor të vitit 2011 kishin emëruar në mënyrë të kundërligjshme në pozita udhëheqëse njerëz të afërt të tyre ose me partinë e tyre në ndërmarrjet publike “Trainkos”, “Infrakos”, “Hidro-Drini”, “Radoniqi-Dukagjini”, etj./21Media

Back to top button