Kërkohet nga BE të ushtrojë presion te Serbia për sqarim rreth ndalimit të Petroviqit

Kërkohet siguri për deputetin Slobodal Petroviq

Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, mbajti mbledhjen e radhës ku mes tjerash u diskutua për ndalimin e deputetit dhe anëtarit të Komisionit, Slobodan Petroviq, nga ana e xhandarmërisë serbe në kufirin Kosovë-Serbi, përkatësisht në pikën kufitare në Mendarë.

“Dënojmë ashpër ndalimin e paligjshëm të deputetit dhe anëtarit të Komisionit Parlamentar për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve nga policia serbe. Konsiderojmë se ky ndalim bëhet me qëllim të ushtrimit të presionit dhe kërcënimit ndaj punës së deputetit, Slobodan Petroviq.
Kërkojmë nga institucionet e Kosovës që të ndërmarrin hapat e nevojshëm që situata të këtilla presioni ndaj deputetëve të mos ndodhin.
Kërkojmë nga Zyra për politikë të jashtme e BE-së, përkatësisht nga përfaqësuesja Federica Mogherini që të ushtrojë presion tek Qeveria Serbe për sqarimet e nevojshme mbi arsyen dhe rrethanat e këtij rasti si dhe presionin në mënyrë që të parandalohen rastet e tilla në të ardhmen.
Kërkojmë nga institucionet e sigurisë së shtetit të Kosovës që me seriozitet ta trajtojnë këtë rast dhe të ofrojnë siguri për deputetin Slobodan Petroviq dhe familjen e tij.”, thuhet në deklaratën e këtij komisioni.

Më datën 8 dhjetor, gjatë kalimit të kufirit Kosovë-Serbi, deputeti i Partisë Liberale Serbe, Slobodan Petroviq, është ndaluar nga policia serbe ku është mbajtur për disa orë duke u marrë në pyetje nga pjesëtarë të shërbimit informativ serb (më tej BIA). Për orë të tëra deputeti Slobodan Petroviç i është nënshtruar presionit direkt të Serbisë për punën e tij, në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës./21Media

Back to top button