“Kërkojmë të jemi të barabartë me prodhuesit në rajon”

Kryeministri Isa Mustafa vizitoi kompaninë ‘Pestova’ në fshatin Pestovë të Vushtrrisë

Me këtë rast kryeministri Mustafa tha se sot jo për herë të parë po vizitojnë një firmë e cila është kulminante jo vetëm për rrethanat e Kosovës, por edhe për produktet e tilla në tregun e Bashkimit Evropian.

“Është një firmë e cila po luan një rol të rëndësishëm në bashkëpunim me prodhuesit privat, sepse llogaritet që janë rreth 2 mijë punëtorë që janë të lidhur me këtë veprimtari dhe përmes ‘Pestovës’ organizojnë veprimtarinë e tyre”, tha Mustafa.

Sipas kryeminstrit, kjo kompani është tatimpaguese e rregullt e Kosovës dhe kontribuuese shumë e rëndësishme e buxhetit të Kosovës.

Pronari i Kompanisë Pestova, Bedri Kosumi, tha se pakoja fiskale 1 ka qenë ajo që e kanë kërkuar por nuk është arritur krejt. Kosumi tha se po presin që me pakon fiskale 2 disa lëndë të para që nuk mund të prodhohen në Kosovë të hiqen nga taksat.

“Ne nuk po kërkojmë asgjë tjetër vetëm të jemi të barabartë me prodhuesit në rajon dhe më gjerë. Duke iu falënderuar pakos 1 fiskale kompania ‘Pestova’ ka 2 tregje të reja në BE sepse janë dy faktorë, njëri është faktori kualitet dhe çmim dhe në lehtësirat që i kemi marrë nga Qeveria me pakon 1 kemi pasur mundësi ta ulim çmimin, pra aq sa është konkurrues dhe tash jemi prezent në tregun e BE-së, në rajon dhe në tregun e tretë në Irak”, tha Kosumii.

Ndërkaq, ministri i Financave Avdullah Hoti tha se janë në fazën finale të diskutimit në lidhje me pakon fiskale 2.

Përveç Hotit, Mustafën e shoqëroi edhe zëvendësi i tij Ramiz Kelmendi dhe kryetari i komunës së Vushtrrisë Bajram Mulaku.

Back to top button