Kosova kthen sytë kah Astronomia

Qendra e parë shkencore në Kosovë për hulumtime Astronomike, hapi më i madh që është marrë nga Kuvendi

Të shtunën me 3 shkurt, Kuvendi i Kosovës në mënyrë unanime ka votuar pro amandamentit për ndërtimin e Observatorit dhe Planetariumit të parë në Kosovë.

Pranvera Hyseni, drejtuese e organizatës “Astronomy Outreach of Kosovo”, ka thënë se ndërtimi i Observatorit dhe Planetariumit të parë në Kosovë, ka qenë ëndërr e tyre prej shumë kohësh.

“Për shumë vite me radhë, organizata jonë e Astronomisë ‘Astronomy Outreach of Kosovo’ ka synuar të ndërtojë një pike vëzhguese, nga e cila do të mund të kryenim vëzhgime qiellore të njëpasnjëshme. Ndërtimi i Observatorit dhe Planetariumit të parë në Kosovë, ka qenë ëndërr e jona prej shumë kohësh. Padyshim, kjo për organizatën tonë nuk ka qenë e lehtë të arrihet pa pasur përkrahje financiare. Megjithatë, amandamenti i aprovuar nga Kuvendi i Kosovës me 3 shkurt 2019, i ka siguruar organizatës sonë fonde të mjaftueshme për të nisur qendrën e parë shkencore në Kosovë për hulumtime Astronomike. Ky ka qenë hapi më i madh që është marrë nga Kuvendi i Kosovës për fushën e Astronomisë dhe është mirëpritur me knaqësi të madhe nga organizata jonë dhe e vlersojmë lartë aprovimin e tij”, ka thënë Hyseni për portalin rtv21.tv

Qendra e parë shkencore në Kosovë për hulumtime Astronomike, do të ndërtohet në fshatin Rashincë të Komunës së Shtimes, aty ku e kanë siguruar parcelën, e cila i’u është dhënë donacion organizatës  nga Prof. i Astronomisë dhe bashkëthemeluesi i organizatës, Milaim Rushiti.

“Kjo ka qenë krejt pak çka ka mundur të bëjë për shkencën e Astronomisë”, ka thënë profesor Rushiti në një intervisë për rtv21.tv.

Ndërtimi i Qendrës së parë shkencore në Kosovë për hulumtime Astronomike pritet të fillojë në muajin mars.

“Nëse shkon gjithçka sipas planit tonë ne do të fillojmë së ndërtuari të kësaj qendre kah mesi i muajit mars”, ka thënë Rushiti.

Profesori i astronomisë, Rushiti ka treguar se kjo qendër do shërbej për vrojtime të trupave qiellor si dhe do shërbej si qendër ku në të do të vrojtohen dhe do të kenë një njohuri elementare bazike për Astronomi.

Observatori dhe Planetariumi i parë në Kosovë, do t’i mundësojë të gjitha shkollave të Kosovës t’i sjellin nxënësit për të mësuar rreth shkencës së Astronomisë si dhe për të vëzhguar me teleskopë që do të jenë në dispozicion. “Nxënësit gjithashtu do të kenë rastin të zhvillojnë eksperimente të ndryshme në fushën e Fizikës, Gjeologjisë, Kimisë etj. Vlenë të theksohet që kjo qendër do të jetë e hapur njëashtu për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe më gjerë”, kështu ka bërë të ditur Pranvera Hyseni për portalin rtv21.tv.

Ajo ka theksuar se kjo qendër do t’i mundësoj organizatës të kyçet në programet hulumtuese dhe të jap kontribut në vëzhgimet qiellore, duke siguruar të dhëna nga pajisjet optike të instaluara në observator. “Menjëherë pas përfundimit të ndërtimit, ne do të fillojmë programin për vëzhgimin e yjeve variabël, supernovave, yjeve të dyfishtë, asteroidëve, kometave etj. Këto do të jenë ndër programet e para, të cilat do të bëhen të realizueshme për t’u vëzhguar nga qielli i Kosovës, e më pas të dhënat do të dërgohen tek institucionet përkatëse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe do të analizohen më tutje nga ekspertë të fushës”.

Ndërsa, sa i përketë aparaturave të nevojshme për ketë qendër, Hyseni ka treguar se organizata e tyre tanimë zotëron një numër të madh pajisjesh optike.

“Organizata jonë tanimë zotëron një numër të madh pajisjesh optike, të cilat i kemi shfrytëzuar maksimalisht për të realizuar aktivitete në shkolla dhe hapësira publike të Kosovës, me qëllim të popullarizimit të Astronomisë në vendin tonë.  Sidoqoftë, organizatës sonë i’u është ofruar donacion një teleskop me aparaturë 14 inç, që i takon llojit “Schmidt-Cassegrain”, nga kompania prodhuese e teleskopëve me famë botërore “Celestron”. Ky teleskop do të instalohet brenda observatorit dhe do të mundësoj pamje të mahnitshme të trupave qiellor, madje edhe të objekteve të zbehta, të cilat nuk kemi arritë t’i shohim me teleskopët e më hershëm. Stafi jonë gjithashtu ka siguruar një projektor nga SHBA-të, i cili do të vendoset brenda Planetariumit, për të mundësuar projektimin e kupës qiellore në kupolën e objektit”, ka thënë Hyseni.

Ndërtimi i Observatorit dhe Planetariumit të parë në Kosovë që do të shërbejë si qendër e parë shkencore dhe kërkimore në Kosovë, është përkrahur nga Kuvendi i Kosovës me një subvencion prej 236,568.76 Euro./21Media

Video e projektit që do të ndërtohet.

Back to top button