Kultivimi dhe përpunimi i ushqimeve bio në Kosovë

Sonte në emisionin Start Up në RTV 21 ishin të ftuara drejtuese të kompanive të ndryshme për prodhimin e produkteve bio

Fahrije Hoti, drejtuese e kooperativës “Krusha” tregoi se produktet e tyre janë sa më natyrale që është e mundshme, mirëpo nuk mund ta dijnë se a janë 100% bio sepse kjo varet edhe nga fermerët dhe procesi i tyre gjatë mbjelljes dhe kultivimit. Sa i përket prodhimit nga kooperativa “Krusha”, produkti është bio ngase është shtëpiak dhe çdo perime pastrohet nga duart e grave punëtore në këtë kooperativë para se të shndërrohet në produkt final.  Sipas Hotit konsumatori çdo herë e më shumë kërkon produkt bio për qëllim që të evitohen sëmundjet e ndryshme. “Krusha” kërkon që në të ardhmen të sigurohen se rrugëtimi i produkteve tyre nga mbjellja e deri tek plasimi në treg të jetë komplet bio, pa përdorimin e asnjë pesticidi.

Syzana Aliu është udhëheqëse e kompanisë “Magic Ice”, që merret me produktet e qumështit. Ajo tregon se cillësia e qumështit që ata përdorin kontrollohet çdo mëngjes me anë të një aparati, për të konstatuar nëse aciditeti i tij është në nivel. Pas kësaj në kompani kryhen edhe analizat bakterologjike për të konstatuar se qumështi vërtet është i shëndetshëm. Nëse qumështi i plotëson të gjitha kriteret e kërkuara nga “Magic Ice”, kompania e përpunon atë për ta shndërruar në produkt final për markete, duke bashkëpunuar me 315 fermerë nga pjesë të ndryshme të Kosovës. Nëse lënda e parë nuk e përmban cilësinë e duhur, ajo kthehet prapa dhe nuk përdoret nga kompania në produktet e saj, shkruan rtv21.tv.

Drejtuesja e minifermës “Fllanza”, Hadije Ahmeti, deklaroi se ka një interesim të konsiderueshëm për vezët e fëllënzave, të cilat ajo i kultivon në minifermën e saj. Sipas saj vezët është e rëndësishme të jenë bio dhe të kualitetit të lartë, gjë që varet nga ushqimi i fëllanzës. Ahmeti bën të ditur se Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinës çdo gjashtë muaj bën analizat e ushqimit, të cilat kanë dalur shumë mirë, pasi ushqimi duhet të jetë i shëndetshëm dhe pa preparate kimike për fëllanzat. Ushqimi i shëndetshëm bën që edhe vezët por edhe mishi i fëllenzave të jetë i shëndetshëm. Megjithatë Ahmeti deklaron se asnjëherë nuk mund të themi se këto produkte janë 100% bio, pasi ka shumë kushte tjera që duhet plotësuar, mirëpo produktet me kushtet e tanishme janë tejet cilësore.

Valbona Sadiku, udhëheqëse e bletarisë “Ensar” deklaroi se është shumë e vështirë që të kultivohen bletët dhe produktet e tyre, sidomos në kushtet e Kosovës. Kjo është e pranishme sidomos në 4 vitet e fundit ku ka pasur një vdekshmëri më të madhe të bletëve, pasi edhe kushtet atmosferike nuk janë të favorshme për kultivimin e mjaltit. Bletaria “Ensari” prodhon fletët e dyllit, si dhe ushqimin stimulues, pogaqen, që kanë një rëndësi të veçantë për prodhimin e një mjalti bio. Kjo ka marrë shumë kohë dhe mund, por kërkesa e tyre ka qenë që të sjellin një produkt 100% bio për tregun e Kosovës. Trajtimi i bletëve, vendi ku kryhet kullosa e bletëve si dhe shtegtimi i bletëve janë disa nga kushtet kryesore që duhet përmbushur në maksimum që mjalti të jetë sa më bio.

“City Bakery” është një kompani që prodhon produkte shtëpiake, që njëherit mund të quhen edhe bio. Drejtuesja e “City Bakery”, Valbona Arifi, tregon se produktet e tyre janë bio duke filluar nga brumi i cili punohet pa aditiv, por edhe përbërësit tjerë si spinaqi e djathi që janë produkte bio. Qëllimi kryesor i kompanisë së drejtuar nga Arifi është që produktet e tyre të jenë sa më cilësore, dhe të mos përmbajnë koncentrate e konservanse, duke përfshirë këtu ushqimet tradicionale që kjo kompani punon, si pitet, mantiat, llokumat, pogaqet, simitet e ndryshme e të tjera. Pitet si produkti më i kërkuar i “City Bakery”, sipas Arifit janë një ushqim i shëndetshëm, ngase gjithçka që përdoret për gatimin e tyre është bio dhe i cilësisë më të lartë. Furnizimi me këto produkte bëhet nga fermerët vendas, që bëjnë një punë të kënaqshme për produkte të cilësisë së lartë./21Media

Back to top button