Kurti: Duhet t’i ruajmë nervat, bisedimet me LDK-në nuk janë të lehta

“Jam i gatshëm të takohemi përditë”

Sot u mbajt mbledhja e parë me Qendrat e Lëvizjes Vetëvendosje për vitin 2020, ku mori pjesë edhe kryetari i kësaj partie Albin Kurti. Përveç çështjeve të rëndësishme organizative u diskutua edhe situata politike.

Kryetari Kurti ka folur rreth ecurisë së bisedimeve për formimin e koalicionit qeverisës me LDK-në, si dhe për sfidat me të cilat po përballen këto negociata.

“Duhet t’i ruajmë nervat. Të punojmë e të angazhohemi, por me durim. Këto bisedime nuk janë të lehta. Edhe më të rënda na presin bisedimet në të ardhmen si qeveri me faktorë të ndryshëm. Sigurisht që kemi mundur e është dashur të arrijmë marrëveshje deri më tash. Pasnesër bëhen 100 ditë prej zgjedhjeve të 6 tetorit. Mirëpo, prej këtyre 98 ditëve, për përbërjen e qeverisë ne kemi biseduar vetëm pas certifikimit të rezultateve. 52 ditë ne i kemi humbur, duke pritur a po ia kalojnë pragun një partie ndonëse e kemi ditur që kjo nuk luan fare rol në renditjen e subjekteve tona, se kjo nuk mund ta ndryshojë fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje. Së fundmi, unë jam ekspozuar dy herë në mënyrë të rrezikshme: me 26 dhjetor jam ekspozuar para dy milionë qytetarëve dhe gjithë deputetëve të Kuvendit, pa pasur marrëveshje me LDK-në; dhe, mandej në takimin te presidenti sërish u detyrova të shkoj pa marrëveshje me LDK-në, por së paku kisha gjysmën e kabinetit tim të bërë publik”, tha Kurti.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje shprehu besimin se marrëveshja me LDK-në do të arrihet, porse kjo nuk varet prej tij.

“Jam i gatshëm të takohemi përditë, edhe të mbyllemi në ndonjë vend derisa të merremi vesh, por këtë mund ta them për veten, jo për palën tjetër. Ajo që ne duhet të themi, e që nuk po e themi sa duhet, është se ne duhet të bëjmë të qartë se për çka qëndrojmë. Jo vetëm si liderë e si udhëheqës por edhe si qytetarë duhet ta bëjmë të qartë se ne nuk mund të kthehemi prapa, se ne nuk mund të bëjmë kompromis me të ardhmen dhe se asnjëherë nuk lodhemi e nuk do të lodhemi duke mbrojtur qëndrimet dhe parimet tona”, u shpreh Kurti.

Për më tepër, ai tha se do të bëjnë shumëçka që të arrijnë marrëveshje, gjithnjë përbrenda kornizave të kushtetutës dhe ligjit, të demokracisë dhe të rendit republikan, të vullnetit të popullit të shprehur në zgjedhjet e 6 tetorit.

“Lodhjen nga pritja dhe frustrimi nga vonesat le t’i kthejmë në kërkesa, jo për marrëveshje të shpejtë dhe me çdo kusht, por për marrëveshjen e drejtë që na duhet për të bërë ndryshimin që duam”, ka thënë Kurti.

Back to top button