Kurti kujtoi sakrificën e ushtarakëve amerikanë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kujtoi sakrificën e ushtarakëve amerikanë dhe familjeve të tyre, në takimin me shqiptaro-amerikanen Besa Tafilaj-Pinchotti, drejtore ekzekutive e Shoqatës Kombëtare të Familjeve Ushtarake (National Military Family Association). Në veçanti u përmenden dy pilotët e helikopterit Apache, oficerët David A. Gibbs dhe Kevin L. Reichert, që humbën jetën në Shqipëri më 1999, gjatë operacioneve mbështetëse për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.
Në takim u fol për përkushtimin e Qeverisë për sigurinë, si dhe për bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“U theksua rritja e buxhetit të sektorit të mbrojtjes, më i larti që ka pasur ndonjëherë Kosova si dhe angazhimi për të zhvilluar një forcë ushtarake profesionale dhe të shkathët në përputhje me doktrinën dhe standardet e NATO-s”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Ndërsa, Tafilaj-Pinchotti, foli për misionin dhe aktivitetet e Shoqatës Kombëtare të Familjeve Ushtarake (National Military Family Association), e themeluar më 1969, që përfaqëson miliona pjesëtarë të familjeve ushtarake në Shtetet e Bashkuara, përmes avokimit dhe programeve mbështetëse. Tafilaj-Pinchotti babai i së cilës vjen nga Deçani, rikujtoi kohën kur ajo ka raportuar për luftën dhe periudhën e pasluftës së Kosovës si gazetare në rrjetet televizive ABC dhe NBC./21Media

Back to top button