Kurti tha se me Grenell-in biseduan për zhvillimin ekonomik

Kurti dhe Grenell diskutuan për disa çështje

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti u deklarua rreth takimit të sotëm me të dërguarin e posaçëm të presidentit amerikan, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Grenell ishte i shoqëruar nga ambasadori amerikan në vendin tonë, Philip Kosnett, ndërsa në selinë e VV u prit nga Kurti, kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe deputetja Fitore Pacolli.

Kurti, pa dhënë shumë detaje, shkroi në Twitter se në takim u bisedua për zhvillim ekonomik dhe hapje të vendeve të reja të punës.

“Së bashku me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca dhe deputeten Fitore Pacolli mirëpritëm në selinë e Lëvizjes Vetëvendosje ambasadorin Richard Grenell. Diskutuam rëndësinë prioritare për zhvillim ekonomik dhe hapje të vendeve të reja të punës, dhe atë të bashkëpunimit mes vendeve tona”, shkroi Kurti.

Ndërkohë, Richard Grenell pas takimit me Kurtin u deklarua për media, me ç’rast tha se ishte kënaqësi për të që takoi sërish Kurtin. Qysh në fillim të deklaratës së tij, Grenell tha se ia bëri të qartë Kurtit se nuk është puna e tij të përzihet në arritjen e marrëveshjes për formimin e Qeverisë.

“Çështja e formimit të qeverisë nuk më takon mua dhe nuk jam i interesuar në të. Por dua t’i them dy gjëra, e para i thashë zotit Kurti që vendet si Britania e Madhe dhe Gjermania kishin përballje të mëdha teksa po provonin ta krijonin Qeverinë. Ne po e përcjellim situatën. I thamë të ndjekë ligjin nëse do që të arrihet suksesi“, tha ambasadori./21Media

Back to top button