Lahi Ibrahimaj: Po do t’i përgjigjem Gjykatës Speciale

Ibrahimaj ka refuzuar të tregojë se në cilën datë do të intervistohet

Gjenerali i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Dukagjini, Lahi Ibrahimaj është i ftuari i radhës nga Prokuroria e Dhomave të Specializuara pranë Gjykatës Speciale.

Ai ka pohuar për KP, se ka marrë këtë ftesë nga dhomat e specializuara dhe se do të intervistohet këto ditë nga prokurorët.

“E kom marrë ftesën, jemi në organizim të procedurave. Do të shkoj. Votën si deputetë e kam dhënë kundër kësaj gjykate, sepse një Kosovë, një UÇK,  nuk e meriton këtë gjykatë. Vota ime është kundër, por shumica e Parlamentit të Kosovës kanë vendosur ndryshe, unë e respektoj votën e shumicës dhe do të shkoj. Nuk është e specifikume se në çfarë cilësie jam i ftuar nga Gjykata Speciale”, ka thënë Ibrahimaj.

Ibrahimaj ka refuzuar të tregojë se në cilën datë do të intervistohet, madje nuk ka treguar se edhe në çfarë cilësie është i ftuar, siç ka shtuar ai, nuk është e specifikuar. Megjithatë, ai ka thënë se do të dëshmojë pafajësinë e UÇK-së.

“Një që ta bëjë të qartë se si nuk i kam turpru bashkëluftëtarët e mi edhe familjarët e mi që janë vrarë, kur kam qenë herën e parë, nuk kom me i turpru edhe kësaj radhe. Unë UÇK-në kom me bo krenare”, ka përfunduar Ibrahimaj.

Kujtojmë se ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK së, Lahi Brahimaj ishte i akuzuar edhe më herët nga Tribunali i Hagës ku është shpallur i pafajshëm.

Ndryshe, para pak javësh, prokurorët e Speciales kanë intervistuar në Kosovë disa ish pjesëtarë të UÇK-së, ndërsa në Hagë kishin udhëtuar vetëm Rrustem Mustafa- Remi, Sami Lushtaku dhe Faton Mehmetaj.

Back to top button