LDK dhe AAK “përplasen” rreth numrit të këshilltarëve në Qeveri

Mustafa për AAK-në: Ti flet për lisa ata për fshesa

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka reaguar edhe një herë si kundërpërgjigjie ndaj reagimeve të disa zyrtarëve të AAK-së, pasi Mustafa u shpreh se qeveria që ai drejtonte kishte dukshëm më pak këshilltarë se sa kabineti i Ramush Haradinajt.

“Po i lexoj disa reagime nga AAK në postimin tim. Për një gjë s’mund e te mos pajtohem me ta. Janë organizuar dhe janë renditë si fishekë që ta mbrojnë partinë dhe qeverinë e tyre. Sikurse edhe ata të PDK-së. Nuk është me rëndësi çfarë thonë. Ti flet për lisa ata për fshesa, por reagojnë. Edhe të këqyrin në sy. E sa i përket LDK-së, iu shpreh ngushëllime që nuk do tu del ashtu si ata e paskan menduar. Unë nuk kam biseduar me ta”, ka shkruar Mustafa në “Facebook”.

Pas shkrimit të parë të Mustafës, përmes “Facebook” kanë reaguar Burim Ramadani dhe Besnik Tahiri.

Ndërkohë, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj para dy ditëve ka komentuar numrin e lartë të këshilltarëve dhe zyrtarëve në Qeverinë e Kosovës, duke thënë se prej se ka ardhur në pozitën e shefit të ekzekutivit nuk ka punësuar më shumë se 60 zyrtarë dhe këshilltarë. Ai ka thënë se të dhënat e fundit në media për punësim të rreth 400 zyrtarëve në Zyrën e Kryeministrit janë nga Qeveria “Mustafa” dhe Qeveria “Thaçi”./21Media

Back to top button