LDK kërkon nga Veseli të distancohet nga njëri këshilltar

LDK thotë se njëri këshilltar i Veselit ka ofenduar Vjosa Osmanin

Ish-partnerët e koalicionit qeveritar, PDK-ja dhe LDK-ja janë përfshirë në një debat të ashpër mes vete, duke u akuzuar edhe për tradhëti.

Debati ka nisur nga kreu i PDK-së, Kadri Veseli, i cili ka deklaruar se partia e tij nuk e ka tradhtuar Isa Mustafën, kur u rrëzua qeveria, në të cilën ishin bashkë. Veseli ka thënë  se Qeverinë Mustafa e rrëzuan deputetët e saj, si Vjosa Osmani dhe Anton Quni.

Osmani është përgjigjur duke thënë se Veseli është bërë figurë komike e politikës. Sipas saj,  PDK ka në gjak tradhëtinë dhe mashtrimin.

Këshilltari i Veselit, Blerim Latifi i ka cilësuar deklaratat e Osmanit si “fashizëm klasik”.

“Deklarata e Vjosa Osmanit është fashizëm klasik, sepse fashizmi është pikërisht lidhja e sjelljes politike të dikujt në ADN e tij biologjike”, ka thënë Latifi.

Kurse, sot LDK-ja ka kërkuar nga Veseli që ta shkarkojë këshilltarin e tij i cili, sipas tyre, ka fyer deputeten Osmani.

Për këto qëndrime, LDK kërkon që Veseli të distancohet nga Latifi.

“Sot njëri nga këshilltarët e z.Veseli ka fyer një deputete të LDK-së, znj.Vjosa Osmani, për deklaratat që ajo ka bërë në një përgjigje qëi ka dhënë z.Veseli. Pëgjegjësinë për debatin dhe fjalorin e përdorur nga deputet ndaj njëri tjetrit në Kuvend dhe jashtë Kuvendit e marrin vetë deputetët. Në mes tyre nuk mund të ndërhyjë një zyrtar i Kuvendit. Kjo sjellje e këtij këshilltari është e pa pranueshme. Z.Veseli duhet të distancohet nga ai këshilltar dhe të ndërmarrë masa ndaj tij duke e larguar nga Kuvendi. Nuk mundet asnjë zyrtar i Kuvendit të fyej një deputet. Ai person nuk mund të jetë më staf i Kuvendit”, bëhet e ditur në njoftim.

Deklaratave të Osmanit u ishte përgjigjur edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.

“Kur jemi të ADN-ja e Partive dhe përrallat e LDK-së. E verteta dhemb, por nga këndveshtrimi afatgjatë është opsioni më i mirë për të reflektuar mbi vehtën. ADN e PDK-së: Fitore të vazhdueshme, Atdhedashuri dhe shtetndërtim, Shtyrje përpara e agjendës për zhvillim. Çdo partner koalicioni i PDK-së që paralizohet nga frika dhe mendon se i shijon katër vite pushtet pa treguar asnjë rezultat gabon shumë. Kjo nuk është tradhti, kjo është konsekuencë që e pret secilin. Racionaliteti pastaj është pergjigja që merr LDK në diten e zgjedhjeve, si rezultat i mendjemadhësisë dhe i prepotencës në raport me secilin qytetar të vendit i cili nuk ju beson përrallave LDK-iste. “Harmonia“ brenda LDK-së është përralla më e re që kjo parti përpiqet ti servoj opinionit”, ka shkruar Musliu në facebook.

Back to top button