LDK me telegram ngushëllimi për vdekjen e George H.W Bush

“Ndarja nga jeta e George H.W. Bush është humbje e madhe për Kosovën”

Me rastin e vdekjes së Presidentit të 41-të të SHBA-ve, George H.W. Bush, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka dërguar telegram ngushëllimi.

“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të mikut të popullit të Kosovës, Presidentit të SHBA-ve, George H.W. Bush. Ndarja nga jeta e George H.W. Bush është humbje e madhe për Kosovën. Bush ishte një prej figurave më të njohura në arenën ndërkombëtare dhe politike i cili dha kontribut të madh që popujt e botës të jetojnë në paqe. Bush ishte gjithashtu mik i madh i vendit dhe popullit tonë, mungesën e të cilit do ta ndiejmë shumë. Bush do të përkujtohet gjithmonë nga Kosova dhe qytetarët e saj, veçanërisht për paralajmërimin e tij ndaj Serbisë në vitin 1992 se ‘në rast të konfliktit në Kosovë, të shkaktuar nga veprimet e Serbisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë të gatshme të përdorin forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë e Serbi. Këtë dashuri ndaj Kosovës e trashëgoi edhe te Presidenti i 43-të i SHBA-ve George W. Bush, gjatë mandatit të së cilit edhe u shpall pavarësia e Kosovës. Zoti e bekoftë shpirtin e Presidentit George H.W. Bush”, ka shkruar kryetari Mustafa në telegramin e ngushëllimit.

Në moshën 94-vjeçare ka vdekur ish-presidenti amerikan, George H.W Bush, i njohur edhe si Bushi i vjetër. Bush ka vdekur mbrëmjen e së premtes, ka bërë të ditur zëdhënësi i familjes, raporton BBC. Ai kishte qenë presidenti i 41-të i Amerikës, ndërmjet viteve 1989-1993, pasi kishte shërbyer dy mandate si zëvendës president i Ronald Regan. Në muajin prill ai ishte pranuar në spital për kujdes intensiv për shkak të një infeksioni të gjakut, vetëm një javë pas vdekjes së gruas së tij, Barbara Bush, 73 vjeçare./21Media

Back to top button