Pronarët e tokave të shpronësuara shprehën shqetësimet e tyre

Pronarët e tokave të shpronësuara shprehën shqetësimet e tyre

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, së bashku me kryetarin e Vushtrrisë, Xhafer Tahiri takuan pronarët dhe shfrytëzuesit e parcelave vushtrrias nëpër të cilat kalon autostrada, Prishtinë-Mitrovicë e të cilët kanë paqartësi rreth shpronësimeve dhe projektit në tërësi.

Ministri  Lekaj, duke folur para pronarëve ka sqaruar se duke u nisur nga fakti se prona është e shenjtë ai i mbështetë të gjitha kërkesat dhe shqetësimet e ligjshme të atyre pronarëve, duke u kërkuar atyre që projekti i nisur i kësaj autoudhe me rëndësi strategjike për banorët e kësaj zone por edhe vendit në tërësi, nuk duhet penguar.

Ministri Lekaj, u tha banorëve se nga momenti kur ata kanë pranuar vendimin përfundimtar të shpronësimit, nëse pagesat për ato shpronësime nuk kryhen brenda dy vjetesh, pronarët kanë të drejtë ligjore që t’i ngrisin shqetësimet e tyre në gjykatat kompetente.

Lekaj u tha pronarëve se projekti duhet vazhduar edhe përkundër faktit se disa nga pronarët e atyre parcelave janë ankuar në gjykatë për një arsye ose tjetrën.

Kryetari Tahiri, duke e falënderuar ministrin për përkushtimin që ky projekt të mos prolongohet më tutje dhe duke i siguruar banorët se do ta kenë mbështetjen e tij dhe të ministrit Lekaj, në zgjidhjen dhe adresimin e shqetësimeve të tyre, tha po ashtu se ky projekt nuk duhet penguar nga ata si vushtrrias, ngase kjo jo vetëm që është interes i tyre si banorë, por njëherit me vendim të Kuvendit të Kosovës është shpallur edhe si Projekt me Interes të Veçantë Nacional, për shkak të lidhjes që ky projekt krijon me Mitrovicën dhe sidomos me veriun e vendit.

Pronarët e tokave të shpronësuara, gjatë këtij takimi me ministrin Lekaj dhe kryetarin Tahiri, i shfaqën shqetësimet e tyre lidhur me kompensimet e pronave, mungesën e informacioneve nga e kaluara lidhur me projektin dhe mundësitë e qasjes së fshatrave dhe pronarëve në këtë autoudhë, si dhe vonesat në lëshimin e vendimeve dhe afateve të pagesave për pronat e shpronësuara.

Në fund të këtij takimi, të gjitha palët u dakorduan se projekti duhet vazhduar dhe se palët duhet të marrin përsipër obligimet dhe detyrimet ligjore konform akteve normative të vendit dhe që ministri Lekaj të angazhohet maksimalisht në përshpejtimin e pagesave nga ana e Qeverisë së Kosovës, ndaj pronarëve që janë pajtuar me vendimet për shpronësim./21Media