Liderët politik përçojnë mesazhe për Bajram

Me rastin e festës së Fitër Bajramit liderët e partive politike vizituan Bashkësinë Islame të Kosovës

Kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Myftiu Naim Tërnava sot ka pritur përfaqësues të institucioneve dhe liderë të subjekteve politike në Kosovë me rastin e Festës së Fiter Bajramit.

Me këtë rast, përfaqësuesit institucional shfrytëzuan rastin që të urojnë edhe qytetarët e Kosovës për Festën e Bajramit.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh kryetar i LDK-së, Isa Mustafa, tha se Bashkësia Islame e Kosovës ka bërë një punë shumë të madhe në ruajtjen e unitetit në vend dhe më gjerë.

Kryetari në detyrë i Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, tha se Festa e Fiter Bajramit përçon mesazhin e paqes dhe dashurisë, dhe ka ftuar qytetarët që t’i ndihmojnë më shumë njëri-tjetrit.

 

Ai ka theksuar se në këtë ditë duhet të kujtohen heronjtë e rënë në luftën për lirinë e Kosovës, si dhe të afërmit të cilët më nuk janë në mesin e familjeve të tyre.

Për vizitë në Bashkësisë Islame të Kosovës me rastin e Festës së Fiter Bajramit ishte edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, kandidati për kryeministër nga LVV Albin Kurti dhe kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti.

Në urimin e tij, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri tha se kjo është një festë që tregon se çfarë rëndësie ka komuniteti dhe solidariteti brenda një shoqërie.

 

Lideri i AAK-së, njëherë kandidat për kryeministër Ramush Haradinaj, tha se është nder të urohet Festa e Bajramit pas një muaji sakrifice të muajit të shenjtë të Ramazanit.

 

Për kryetarin e NISMA-s, Fatmir Limaj, muaji i Ramazanit është shembulli më i mirë se besimi në Zot është besim për paqe. Ai uroi që me këtë rast të pranohen të gjitha mesazhet e kësaj feste.

 

Ndërsa, kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli në urimin e tij drejtuar Myftiut Tërnava dhe qytetarëve të Kosovës u shpreh se lutet që të mbretërojë mirëqenia mbi popullin e vendit tonë.

Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji në vizitën e tij në Bashkësinë Islame të Kosovës, uroi qytetarët për Festën e Fiter Bajramit duke iu dëshiruar besimtarëve myslimanë paqe dhe mirësi.

Ndryshe, edhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare vizituan Bashkësinë Islame në Kosovë me rastin e Festës së Fiter Bajramit.

Back to top button