Maloku përshëndeti mosdekretimin e Cakajt nga Meta

“Aferim President, për dekonspirimin e djallëzisë dhe babëzisë së Edi Ramës!”

Profesori i Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, Fadil Maloku ka përshëndetur mosdekretimin e Gent Cakajt për ministër të jashtëm të Shqipërisë nga Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.

Maloku përmes përmes shkrimit “Aferim President, për dekonspirimin e djallëzisë dhe babëzisë së Edi Ramës!” është shprehur se Ilir Meta ka bërë që të ndalet, siç është shprehur ai turravrapi i Ramës, shkruan rtv21.tv

“Racionaliteti, po edhe atdhetarizmi i Presidentit Ilir Meta, me mosdekretimin e Gent Cakajt, për minister të jashtëm të Shqipërisës, bëri që t’i ndalet përkohësisht turravrapi e happy end-i iracional i Edi Rames!”, ka shkruar Maloku.

Sociologu universitar më tutje ka shkruar se me emërimin e Cakajt për ministër të jashtëm, Rama do ta përdorte këtë si vegël nga qeverisë Haradinaj.

“Edi Rama, në kalkulimet e tija si gjithnjë djallëzore, u mundua që emërimin, e këtij djaloshit “tē pathinjur”, publikut të gjerë gjithshqiptar t’ia shes, hiq më pak si akt patriotik (kosovari, hej resursin më domethënës në planimetrinë rajonale)! Ndërkaq, përmes të po këtij “të pathinjurit”, planifikonte heshtazi dhe padiktueshëm, në planin diplomatik Serbisë t’i krijoj favore e lehtësira… nga më të ndryshme! Sepse, i njejti edhe publikisht ishte deklaruar pro “korigjimit” (copëtimit). Në ndërkohë, Rama mendonte, këtë emrim ta përdorëte edhe si një vegël të frikëshme, e mjet presioni ndaj qeverisë Haradinaj, në kontekstin e avokimit dhe sqarimit të idesë së Trojkes Thaçi&Vuçiq&Rama.”, ka shkruar më tutje sociologu Maloku.

Dje, Presidenti Ilir Meta ka refuzuar të dekretojë Gent Cakajn si ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë. Mosdekretimi i Gent Cakajt në krye të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka ngjallur polemika ndërmjet kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës dhe ish-kryenegociatores së bisedimeve me Serbinë, Edita Tahirit. Tahiri përshëndeti mosdekretimin e Gent Cakajt për ministër të jashtëm të Shqipërisë, ndërsa Edi Rama u shpreh se Edita Tahiri  i është bashkuar Ilir Metës, duke shtuar se Gent Cakaj i meriton sulmet e saj aq sa ‘vizionarët’ me emrin njeri./21Media

Back to top button