"E rëndësishme është të zhvillojmë marrëdhëniet tona"

“E rëndësishme është të zhvillojmë marrëdhëniet tona”

Kancelarja gjermane, Angela Merkel tha se fati i Bashkimit Evropian dhe Ligës Arabe është i lidhur, dhe se është e nevojshme të forcohen marrëdhëniet dhe bashkëpunimi midis dy organizatave.

Në perlën turistike egjiptiane Sharm El Sheikh u zhvillua samiti i BE-së dhe Ligës Arabe, në të cilin liderët e vendeve arabe dhe evropiane diskutuan rreth një sërë çështjesh dhe sfidash të botës moderne.

“Fati i vendeve të Bashkimit Evropian dhe Ligës Arabe është i lidhur dhe këtë e dëshmon çështja e migracionit dhe refugjatëve. E rëndësishme është të zhvillojmë marrëdhëniet tona”, tha Merkel para gazetarëve në Sharm el-Sheikh.

Duke theksuar rëndësinë e ndërtimit të prosperitetit dhe paqes në botën arabe, Merkel tha se “është e nevojshme të zhvillohet një shoqëri civile e fuqishme dhe të respektohen të drejta e njeriut. Pjesëmarrja e të rinjve në OJQ është e një rëndësie të madhe”.

Ajo tha gjithashtu se “është e drejtë e padiskutueshme ekzistenca e Izraelit si shtet dhe Gjermania mbështet idenë e zgjidhjes së konfliktit izraelito-palestinez në bazë të krijimit të dy shteteve të pavarura”.

Duke komentuar situatën në vendet arabe, të përfshira nga lufta, Jemenin dhe Sirinë, Merkel tha se “zgjidhjet ushtarake nuk janë të mundshme, por duhet bërë më shumë për të arritur një zgjidhje politike të krizës”, shkruan ATSH.

Kancelarja gjermane theksoi se ekziston një konsensus i përgjithshëm mbi domosdoshmërinë e një lufte vendimtare kundër terrorizmit.

“Jam veçanërisht e kënaqur të shoh se pjesëmarrësit në samit janë të gatshëm të kërkojnë zgjidhje për krizat dhe problemet”, tha Merkel.