Molliqaj: Albini si Hashimi

“Rroftë baba, poshtë UÇK-ja! Ky ishte mësimi”

Deputeti i PSD, Dardan Molliqaj përmes një shkrimi në Facebook i është referuar ish liderit të tij në Vetëvendosje, Albin Kurtit, duke i thënë se po i ndjek hapat e kundërshtarëve të vet politik siç është Hashim Thaçi.

Duke folur për Gjykatën Speciale, Molliqaj kujtoi kohën kur ishte në Vetëvendosje dhe se ky subjekt sipas tij zotohej se kur të merrnin pushtetin nuk do t’i dorëzonin çlirimtarët.

Ku kemi dalluar asokohe si VV nga LDK dhe një pjesë e shoqërisë civile rreth Gjykatës Speciale është pikërisht kjo: ne thoshim se kriminelët e korruptuar që e kanë kapur shtetin duhet t’i dënojnë gjykatat tona për këto vepra; thoshim po ashtu se drejtësia e çlirimi nuk mund të na vijnë nga jashtë, ato janë autentike; një Gjykatë e veçantë vetëm për Kosovën, për më tepër një etnike është e papranueshme në secilin rast. Pavarësisht kush mund te arrestohet. Madje herë pas here thoshim se pushteti i VV-së nuk do t’i dorëzoje çlirimtarët.
Sot kanë ndërruar yjet, tjetër këngë këndohet. Gjykata Speciale, varet…Nëse e arreston Hashim Thaçin edhe bën.

Duke i personalizuar marrëdhëniet politike deri në obsesion, Albini është zhytur e ka humbur brenda orbitës së kundërshtarëve, duke përvetësuar mënyrat e tyre. Sikur Hashimi, edhe ky punon me vegla e instrumentalizon çdo gje. Sikur Hashimi, edhe ky është frikacak që nuk ka pranuar të marrë mbi vete asnjë rrezik. Asnjë! Sikur Hashimi, edhe ky zgjohet në mëngjes me dy fjalë: unë dhe historia.

Parimi është i tillë vetëm kur është i verbër karshi emrave konkretë. Parimet dhe e vërteta nuk kanë karakter primordial. Ato nuk mund të lidhen për kërthizen e askujt, as te Albinit. Ata që e japin UÇK-në në kuadër të luftës së brendshme politike, e duan pushtetin dhe jo Kosovën. E duan veten dhe jo UÇK-në. Prandaj, nuk janë as parimorë e as të vërtetë.
Rroftë baba, poshtë UÇK-ja! Ky ishte mësimi. Secili subjekt është i përkohshëm, edhe Albini shkoi.”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.

Në anën tjetër lideri i LVV-së, Albin Kurti mbrëmë i ka kërkuar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi që të shkojë në Gjykatën Speciale. Kurti e bëri përgjegjës Thaçin për formimin e Gjykatës Speciale, andaj sipas tij vet Thaçi duhet të shkojë atje ./21Media

Back to top button