MTI-ja pret investime dhe reflektim politik nga Spanja

Bizneset spanjolle treguan se janë të gatshëm të investojnë e lidhin marrëveshje bashkëpunimi

Bizneset spanjolle të prira nga kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini janë takuar edhe me ministrin e Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shalën, ku kanë diskutuar lidhur me mundësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve si në aspektin ekonomik edhe në atë politik, kur dihet se Spanja akoma nuk e ka njohur Kosovën.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala i informoi investitorët spanjoll lidhur me legjislacionin, mundësit, potencialet e çështjet tjera që kanë të bëjnë me investitorët.

Ministri siç theksohet në komunikatë kërkoi nga bizneset spanjolle që pas kësaj vizite në Kosovë, kur të kthehen në vendin e tyre të ndikojnë tek institucionet  që të nisin e forcojnë bashkëpunimin me Kosovën, sepse kjo është në interes të dy vendeve.

“Ne presim investime dhe reflektim politik nga Spanja”, tha ministri i Tregtisë e Industrisë.

Ndërsa, kryetari i AKB-së, Agim Shahini e njoftoi ministrin lidhur me vizitën e parë të bizneseve spanjolle me ftesë të AKB-së ku janë 15 biznese nga industria mishit, aluminit, elektrikës, ndriqimit, instalimit, lëkurës, përpunimit të këpucëve, të prodhimit të verërave, parfimerisë e detergjenteve, shërbimeve juridike, ato ambulantive e të tjera.

Ndërkohë, bizneset spanjolle treguan se janë të gatshëm të investojnë e lidhin marrëveshje bashkëpunimi me biznesevet vendëse për eksporte e importe./21Media

Back to top button