Sot është mbajtur takimi konstituiv i Grupit Koordinues Ndërministror për të Drejtat e Njeriut në Kosovë

Sot është mbajtur takimi konstituiv i Grupit Koordinues Ndërministror për të Drejtat e Njeriut në Kosovë

Në një njoftim për media thuhet se qëllimi i krijimit të këtij grupi është koordinimi i procesit të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, zhvillimi i politikave dhe monitorimi i zbatimit të legjislacionit të kësaj fushe.

Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin e Qeverisë në krijimin dhe promovimin e mundësive të barabarta për të gjithë.

Kryeministri Mustafa tha se Kosova po angazhohet të respektojë dhe të promovojë të drejtat dhe instrumentet ndërkombëtare që ndërlidhen me të drejtat e njeriut, liritë e tyre themelore, si dhe me mbrojtjen e personave që ju përkasin grupeve të ndjeshme dhe atyre që nuk janë shumicë, pa diskriminim mbi çfarëdo baze.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, shprehu bindjen se ky mekanizëm do të jetë mundësi e mirë për të ngritur shqetësimet për moszbatimet eventuale të rekomandimeve që nxjerr Avokati i Popullit për institucionet publike, por gjithashtu edhe siç tha ai, një mundësi e hapur për kontributin e organizatave joqeveritare që të bashkëpunojnë nga afër me institucionet publike.

Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, theksoi se Ministria që ai drejton po punon jo vetëm në luftimin e radikalizmit, por edhe në trafikimin me qenie njerëzore.

Ndërkaq, ministri i Financave, Avdullah Hoti, theksoi përkushtimin e Qeverisë për mbështetjen e nevojshme buxhetore për Avokatin e Popullit, por edhe për institucionet tjera që mbrojnë të drejtat e njeriut.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Florian Dushi, foli për punën që po bëhet nga kjo Ministri.

“Me propozim të Ministrisë së Drejtësisë, është emëruar nga Qeveria, Komisioni për Kompensimin e Viktimave të Krimit, si dhe janë përgatitur edhe draftet e udhëzimeve administrative”, tha zëvendësministri Dushi./21Media