Mustafa-Veselit: Po flet me logjikën e SHIK-ut

“Logjika e tillë është më tepër logjikë e SHIK-ut se sa politike”

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa i është kundërpërgjigjur ‘selameve’ të kryetarit të Kuvendit të Kosovës sa i përket Speciales, duke thënë se Kadri Veseli është mirë të sillet si kryeparlamentar dhe jo si shef i SHIK-ut.

Pas takimit koordinues për dialogun me Serbinë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i ka dërguar “selam”  LDK-së që të mos fërkojë duart sa i përket Gjykatës Speciale.

Kreu i LDK-së është shprehur se të gjithë ata që thirren nga Gjykata Speciale duhet t’i përgjigjen ftesës dhe se për fajësinë apo jo të tyre do të vendosë drejtësia.

“Është mirë që Veseli të veprojë tash mbi themelet e bazës së përgjegjësisë së tij, si kryetar i Kuvendit të Kosovës  dhe kryetar i një partie të rëndësishme  në Kuvend, e jo si shef i SHIK-ut, sepse logjika e tillë është më tepër logjikë e  SHIK-ut se sa politike. Askush nuk i fërkon duart për njerëzit e vet që të shkojnë në gjykatë, as për njerëzit e Kosovës. Në qoftë se dikush ka bërë krime, atëherë ai duhet të fërkojë duart e veta, e jo duart e LDK-së”, ka thënë Mustafa.

Ai ka përsëritur edhe një herë se nuk bëhen pjesë e kësaj Qeverie, mirëpo sipas tij, duhet të bëhet një ri-konfigurim, duke theksuar se qeveria Haradinaj duhet të rrëzohet.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti e ka quajtur grupin negociator si dekorues.

“Dialogu me Serbinë ka hyrë në rrugë të pakthyer. Ekipi negociator, dekorues po e quaj. Presidenti dhe kryeparlamentari, secili prej tyre, japin qëndrime të kundërta. Njëri thotë se nuk do të ketë ndryshim të kufijve, tjetri thotë se do të bashkohet Lugina e Preshevës. Njëri thotë se do të ketë shkëmbim të territoreve, tjetri thotë se do të respektohet Kushtetuta e vendit. Njëri thotë se nuk do të humbim asgjë, tjetri se marrëveshja do të jetë e dhimbshme për Kosovën. Njëri thotë se në fund do të vendosë Kuvendi, tjetri përmend referendumin si fjalën përfundimtare për çështjen të dialogut”, ka thënë ai.

Hoti ka rikujtuar se një e treta e ministrave aktualë të Qeverisë së Kosovës kanë aktakuza, derisa ligjet që miratohen në Kuvend të Kosovës janë për interesa klanore.

“Është krijuar një arenë ku përdoret fjalor jo parlamentar, dhe kjo është bërë normë e punës së përditshme të Kuvendit. Plot ligje që janë sponzorizuar  në Kuvend të Kosovës, në fakt përfaqësojnë interesat të ndryshme politike dhe klanore. Më lejoni të përmendi dy ligje në veçanti. Ligji për vjetërsinë e veturave të importuara dhe tani ky koncept-dokumenti për lojërat e fatit, që thjesht paraqesin interesa të ngushta klanore”, ka shtuar Hoti.

Ndryshe, LDK nuk ka marrë pjesë në takimin e sotëm koordinues për dialogun me Serbinë. Po ashtu, në këtë takim kanë munguar edhe Vetëvendosje dhe presidenti Hashim Thaçi.

Back to top button