Vlera e investimit është mbi 1 milion euro

Vlera e investimit është mbi 1 milion euro

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, së bashku me humanistin nga shoqata bamirëse “Jetimat e Ballkanit”, Halil Kastrati, kanë vënë sot gurthemelin e ndërtimit të 51 shtëpive për familjet në nevojë në fshatin Frashër të Mitrovicës.

Shoqata “Jetimat e Ballkanit” do të ndërtojë 40 shtëpi, “Djemtë e Mitrovicës” me bizneset e tyre 10 shtëpi të tjera, si dhe Komuna e Mitrovicës do të ndërtojë një shtëpi, ndërsa vlera e investimit është mbi 1 milion euro dhe punimet pritet të përfundojnë brenda këtij viti.

I pari i Mitrovicës ka lavdëruar dhe falënderuar humanistin Halil Kastrati, por edhe donatorët e tjerë, për mbështetjen e madhe që kanë bërë për Mitrovicën dhe qytetarët e saj.

Sipas tij, Kosova ka nevojë për njerëz të tillë si hoxhë Kastrati, derisa bëri thirrje tek të gjithë pa dallim, që ta mbështesin atë në punën e tij të bamirësisë për familjet në nevojë.

“Ky është një njeri i veçantë të cilin e ka sjellë Zoti në këtë vend dhe Kosova ka tepër nevojë për njerëz të tillë, i cili me punën që është duke bërë është duke treguar një rezultat si asnjëherë më parë në historinë e Kosovës…Edhe njëherë po ju them mbështesni Halilin sepse vërtetë ia vlen ky njeri”, ka thënë Bahtiri.

Humanisti nga shoqata bamirëse “Jetimat e Ballkanit”, Halil Kastrati, u shpreh i lumtur që po realizon memorandumin e nënshkruar para disa muajsh për qytetarët e Mitrovicës.

Ai potencoi se për të dhe shoqatën “Jetimat e Ballkanit”, por edhe për mbarë shqiptarët, dita e sotme është një gëzim shumë i madh.

“Ne para disa muajsh me kryetarin Bahtiri dhe Komunën e Mitrovicës kemi nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për ndërtimin e 40 shtëpive për familjet nevojtare, parcela është ndarë. Këtij memorandumi i janë bashkangjitur edhe ‘Djemtë e Mitrovicës’ me 10 shtëpi shtesë, si dhe kryetari është treguar zemërgjerë i cili thotë një shtëpi nga ne, pra 51 shtëpi sot po nisin ndërtimin këtu në komunën e Mitrovicës. Për mua si Halil. Për ‘Jetimat e Ballkanit’, por mendoj edhe për mbarë shqiptarët, është një ditë shumë e mirë dhe një gëzim shumë i madh”, theksoi Kastrati.

Kastrati ka njoftuar se edhe në Komunën e Drenasit dhe në Prizren ka filluar ndërtimi i shtëpive për nevojtarët.