“Interesi shtetëror duhet të jetë mbi atë individual"

“Interesi shtetëror duhet të jetë mbi atë individual”

Kandidatja për kryeministre nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani ka folur lidhur me koalicionin LVV-LDK që ende nuk është arritur.

Sipas saj ky koalicion është vullnet i pastër i qytetarëve dhe si i tillë duhet të respektohet.

“Interesi shtetëror duhet të jetë mbi atë individual. Pavarësisht sfidave që i kemi në këto momente, duhet të gjithë të ia kujtojmë vetes se nuk ka asgjë më të shenjtë se vullneti qytetar. Dhe ky vullnet është përcaktuar qartë për koalicionin LDK-VV. Kushdo që luan me këtë verdikt të qytetareve, është duke luajtur me fatin e Kosovës”, ka thënë Osmani.

KALLXO.com e ka pyetur Osmanin edhe në lidhje me deklaratën e deputetit të zgjedhur të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, në një debat televiziv se për partinë e tij Vjosa Osmani do të ishte e pranueshme për postin e presidentit të Kosovës.

Por deri në këto momente Osmani nuk ka kthyer përgjigje në lidhje me këtë çështje.

Pak më herët ka filluar edhe mbledhja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në selinë e tyre. Ende nuk dihet se cilat jane temat që do të diskutohen brenda sallës ku do të mbahet mbledhja. Megjithatë sipas deputetes Albulena Haxhiu në diskutim do të jetë edhe pozita e Kryetarit të Kuvendit.

Nesër pritet të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës deri më tani nuk kanë arritur ende të kenë një marrëveshje për qeverisje.

Në marrëveshjen për koalicionin e ardhshëm të qeverisë në mes të LVV-së dhe LDK-së pritet të përfshihet edhe çështja e presidentit të ardhshëm, i cili zgjidhet në pranverën e vitit 2021.

Kanë kaluar mbi dy muaj që kur janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe një muaj që kur janë certifikuar rezultatet e zgjedhjeve por ende nuk kemi njëmarrëveshje mes LDK-së dhe LVV-së./kallxo