Pacolli: Bush, njeriu që ktheu shpresën dhe besimin te shqiptarët e Kosovës

“Sot SHBA-të humben Presidentin model, qytetarin e madh, sot Kosova dhe bota e lirë, humbi njeriun i cili i ktheu shpresën në lirinë të cilën po e jetojmë sot”

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli i ka shprehur ngushëllime familjes Bush dhe popullit amerikan dhe e ka quajtur pikëllues lajmin për vdekjen e ish-Presidentit amerikan, George H.W.Bush.

Pacolli ka thënë se ish-presidenti Bush kujtohet si njeriu që ktheu shpresën dhe besimin e shqiptarëve të Kosovës, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëse jo e gjithë bota demokratike, ishte vendosmërisht në krahun tonë.

“Lajm thellësisht pikëllues për secilin prej nesh vdekja e Presidentit Xhorxh Bush. Secili nga ne e kujton Presidentin Bush si njeriun që i ktheu shpresën dhe besimin shqiptarëve të Kosovës, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëse jo e gjithë bota demokratike, ishte vendosmërisht në krahun tonë. Pas çmendurive dhe aventurave kriminale në Slloveni, Kroaci, BeH, më 1992 Bush i vendosi vijën e kuqe Serbisë, duke i tërhequr vërejejten se prekja e vijës së kuqe, Kosovës do të shënoj fundin e asaj ndërmarrje industriale kriminale të saj në hapësirat e ish Jugosllavisë. Përmendja e vijës së kuqe ishte inkurajim që ne të vazhdojmë drejt lirisë dhe pavarësisë. Secili prej nesh në Kosovë, ndjehet thellësisht i pikëlluar që sot Shtetet e Bashkuara humbën Presidentin e traditës së sakrificës dhe shërbimit ndaj atdheut dhe botës së lirë.”, ka shkruar Pacolli.

Ndër tjerash ai ka shkruar se pak kush si presidenti Bush ka pasur nderin dhe privilegjin të njihet si hero i Luftës së Dytë Botërore.

“Pak kush në historinë madhështore të SHBA-ve sikurse Presidenti Xhorxh Bush, ka pasur nderin dhe privilegjin të njihet si hero i luftës së dytë botërore ku shërbeu si pilot, edhe pse për heroizmat e tij në luftë pothuaj ai nuk foli kurrë, student sportist, kongresmen, lider i partisë, diplomat i ditëve të para, drejtues i inteligjencës, Zëvendës President, President. Presidenti Bush bëri që rënia e një hegjemonie të kalbur sikurse Bashkimi Sovjetik, të mos i shkaktojë botës, atë çfarë kopjet e vogla sikurse Serbia përmes ish Jugosllavisë, mundën t’i shkaktojnë vuajtje e shkatërrime popujve në rajonin tonë. Xhorxh Bush viteve të fundit forcoi shumë miqësinë me Presidentin Bill Klinton, njeriun i cili dëboi Serbinë dhe Millosheviqin përtej vijës të cilën e kishte caktuar ai me 1992.  Presidenti Bush ishte një humanist i madh, që ndonëse në moshën e shtyrë, me entuziazëm dhe energji i bashkohej nismave humanitare në SHBA dhe përtej. Sot SHBA-të humben Presidentin model, qytetarin e madh, sot Kosova dhe bota e lirë, humbi njeriun i cili i ktheu shpresën në lirinë të cilën po e jetojmë sot. Sot ne humbëm mikun e madh të shqiptarëve, ngushëllime popullit amerikan, ngushëllime familjes Bush”, ka shkruar më tej Pacolli.

Mbrëmë në moshën 94-vjeçare ka vdekur ish-presidenti amerikan,  George H.W Bush, i njohur edhe si Bushi i vjetër. Ai kishte qenë presidenti i 41-të i Amerikës, ndërmjet viteve 1989-1993, pasi kishte shërbyer dy mandate si zëvendës president i Ronald Regan./21Media

Back to top button