Paga mesatare vs shporta e konsumatorit, qytetarët mezi kalojnë muajin!

Po mbushin shportat me produkte ushqimore, por ata ankohen se me një rrogë mesatare prej 23 mijë denarëve nuk mund të ia dalin

Qytetarët thonë se nuk është vetëm ushqimi por ka edhe shpenzime tjera që janë të detyrueshme. Sipas tyre sipas standardit në Maqedoni rroga mesatare për një familje 4 anëtarëshe duhet të jetë diku 1500 euro.

“Jo nuk mund të jetohet me rrogë mesatare. Me 4 rroga mesatare në familje mund të jetohet normal. Ne të cilët jemi me rroga mbi mesataren vështirë lejojmë të bëjmë pushim normal apo shëtitje jashtë në Evropë. Me rrogë mesatare vetëm se mund të paguajmë shpenzimet, si ujë, rrymë, telefon, ushqim dhe aq”.

“Shumë vështirë. Më së shumti rrogën e shpenzoj në ushqim, kredi dhe fatura. Rroga mesatare për familje mendoj se duhet të jetë 1500 euro për një familje 4 anëtarëshe”.

“Shumë vështirë, nuk besoj se dikush që ka 4 anëtarë në familje mund të i mbetet diçka, mund vetëm që të hy në borxh”.

“E gjithë rroga shkon në shportë, shumë pak nëse mbet por nuk mbet. Mua më duhen dy paga mesatare që të mbijetoj”, u shprehën disa qytetarë.

Nga OEMVP thonë se ekziston diskrepanc mes pagës mesatare dhe shportës të konsumatorit. Sipas drejtorit ekzekutiv të kësaj ode, Drilon Isenit Maqedonia duhet të ketë rritje ekonomike prej 4.5 përqind që të përmirësohet jeta e qytetarëve.

“Defenitivisht ekziston një diskrepancë mes pagës mesatare dhe shportës së konsumatorit, me rritjen e pagës minimale që kemi një zbutje të kësaj diskrepance, por ende jemi larg asaj për një mirëqenie të mirë shoqërore. Maqedonia për ta ul këtë diskrepancë, padyshim duhet të ketë një rritje ekonomike prej 4.5 përqind në 4-5 vitet e ardhshme që ky aspekt i jetës të përmirësohet”, tha Drilon Iseni, Drejtor Ekzekutiv i OEMVP.

Të dhënat e Entit shtetëror të Statistikave thonë se rroga mesatare është rritur për 4 përqind në tetor në krahasim me tetorin e vitit të kaluar dhe është 23.356. Të dhënat e fundit të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë tregojnë se një familje katër anëtareshe së paku i nevojiten 32 mijë e 472 denarë. 13 mijë e 435 denarë për ushqim, 10 mijë denarë për strehim, 2289 denarë për higjienë, 2339 denarë për udhëtim, 2160 denarë për veshje, 1070 denarë për aktivitete kulturore dhe 683 denarë për ruajtjen e shëndetit.

Maqedonia mbetet e fundit nga të gjitha shtetet e ish-Jugosllavisë me rroga më të ulëta. Hulumtimet e bëra tregojnë se rrogë më të lartë kanë Sllovenët, e para e Maqedonisë janë të gjitha shtetet tjera të ish Jugosllavisë. Paga mesatare në Slloveni është 1050 euro, në Kroaci 800 euro, në Mal të Zi 500 euro, në Bosnjë 433 euro dhe në Sërbi 400 euro. Maqedonia radhitet e fundit me një rrogë mesatare prej 380 euro./21Media

Back to top button