Peja dhe Gjakova me urdhëresa kundër vrasjes dhe keqtrajtimit të qenve

Me këtë urdhëresë ndalohet vrasja, keqtrajtimi i kafshëve

Komuna e Pejës dhe ajo e Gjakovës kanë nxjerre urdhëresa që ndalojnë vrasjen dhe keqtrajtimin e kafshëve, përfshirë këtu edhe garat mes qenve.

Ndëshkimi për personat që e shkelin këtë urdhëresë do të jetë gjobë deri në 5 mijë euro.

Në urdhëresën e nënshkruar nga kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri bëhet e ditur ndër të tjerash që Drejtoria për Inspektim do ta monitorojë zbatimin e kësaj urdhërese.

“Me këtë urdhëresë ndalohet vrasja, keqtrajtimi, eksperimentimi i kafshëve pa licensë, operimi kirurgjik me qëllim të modifikimit të dukjes së kafshës me të cilën largohet apo dëmtohet cila do pjesë e grupit, importimi dhe shitja e kafshëve agresive në kundërshtim me dispozitat e Ligjit, transportimi i kafshëve pa certifikatë, tregtimi i kafshëve në kundërshtim me dispozitat ligjore, organizimi i garave në të cilat testohet fuqia apo shpejtësia e kafshës, me ç ‘rast kafsha mund të pësojë dhembje, lëndime apo ngordhje”, bëhet e ditur në vendim.

Një ditë më pas vendim të ngjashëm ka marrë edhe komuna e Gjakovës.

“Ndalohet të gjitha organizimet e garave të kafshëve në Komunën e Gjakovës në të cilat testohet shpejtësia apo fuqia e kafshës ndërmjet tyre ku (kafsha) mund të pësojë dhembje, lëndime apo ngordhje”, bëhet e ditur në vendimin e komunës së Gjakovës, e cila është nënshkruar nga kryetari, Ardian Gjini.

Këto vendime janë të bazuara në nenin 17 të Ligjit për Përkujdesjen e Kafshëve, në të cilin po ashtu është e ndaluar kjo dukuri.

Back to top button